Të dielën në Mal të Zi mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat kanë ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm në opinion, pasi nga rezultati i tyre varet zgjidhja e krizës politike që po mbretëron në skenën e Malit të Zi që nga zgjedhjet e gushtit 2020. Analistët vlerësojnë faktin që fushata u zhvillua e qetë dhe pa fërkime politike, gjë që sipas tyre sinjalizon se një atmosferë e tillë do të përçohet edhe në koalicionet paszgjedhore, duke ndikuar pozitivisht për të zgjidhur krizën politike në vend.

Sipas analistëve malazezë dhe të anketimeve të ndryshme pritet të kryesojë lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Ndërkaq, si forcë e dytë në këto zgjedhje pritet të dalë Partia Demokratike e Socialistëve, e ish-presidentit Milo Gjukanoviç, e cila për herë të parë shkon në zgjedhje me një udhëheqës të ri dhe në koalicion me disa parti të vogla.

Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe sipas të gjitha anketimeve do të ketë një rënie të theksuar.

Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën në nivel shtetëror , Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandidojnë së bashku në zgjedhjet e së dielës.

Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu.

Këto zgjedhjet kanë ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm në opinion, pasi nga rezultati i tyre varet zgjidhja e krizës politike që mbizotëron në skenën e Malit të Zi që nga zgjedhjet e gushtit 2020.

Analisti i njohur, Goran Popoviç tha për Zërin e Amerikës se fushata zgjedhore ishte e qetë dhe sipas tij, kjo jep shpresë për zgjedhje të lira që padyshim do të ndikojnë në krizën politike të zgjatur në Malin e Zi.

Zoti Popoviç tha se kohëve të fundit fushatat elektorale kanë ndryshuar duke u zhvilluar shumë të qeta dhe pa fërkime politike, gjë që tregon se një atmosferë e tillë do të përçohet edhe në koalicionet paszgjedhore. Një qasje e këtillë pa sforcime dhe tensione mund të ndikojë pozivisht në krizën politike në Malin e Zi, tha zoti Popoviç.

Ndërkaq, analisti Bekim Çobaj beson se fituesit e këtyre zgjedhjeve do ta përshpejtojnë rrugëtimin e Malit të Zi drejt integrimeve europiane.

“Pritet me të drejtë që pas zgjedhjeve të 11 qershorit partitë politike proeuropiane të formojnë shumicën dhe në opozitë të mbesin ato parti që nuk janë proeuropiane dhe të cilat kanë treguar se nuk janë të gatshme të bëjnë atë që kanë deklaruar dhe të shkojnë në atë drejtim”, tha zoti Çobaj.

Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.

Gjatë viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan edhe më tej ndarjet në skenën politike.

Për këtë arsye faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: