Mali i Zi është vendi më i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka bërë një hap të madh në këtë rrugë, tha kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.
Në një takim me kryeministrin Milojko Spajiq në Budapest, ai tha se kanë rënë dakord që deri në dhjetor të mbyllen disa kapituj të negociatave. Kryeministri Spajiq tha se Mali i Zi ka arritur progres të pandalshëm dhe do të jetë gati për anëtarësim në vitin 2026, e më pas anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028, raporton RTCG .
Orban theksoi se në situatën aktuale ndërkombëtare konkurrenca e BE-së është në rënie dhe se duhet bërë diçka për ta ndryshuar atë. Përgjigja e Hungarisë për këtë është vazhdimi i procesit të zgjerimit.
“Mali i Zi është më i përgatituri, dhe për këtë ka shumë arsye, por edhe fakte, sepse shumë kapituj tashmë është dashur të mbyllen, por Bashkimi e ka lënë pas dore politikën e zgjerimit. Gjatë presidencës hungareze, ne jemi të vendosur të ndryshojmë situatën dhe të mbështesim Malin e Zi në përparimin e tij drejt BE-së. Ne ramë dakord me kryeministrin Spajiq që deri në dhjetor të arrijmë përmbylljen e katër kapitujve të negociatave, sepse ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara, dhe ka edhe kapituj të negociatave që janë në fazën ku mund të përmbyllin edhe shumë shpejt. Mund të konkludojmë se Mali i Zi ka bërë një punë të suksesshme dhe ka bërë një hap të madh në rrugën drejt BE-së”, tha Orban.