TIRANË

Deputetit i Kuvendit, Lefter Maliqi në interpelancën që kërkoi me Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj mbi situatën e burgjeve sulmoi ashpër kreun e këtij institucioni, Agim Ismaili.


Në fjalën e tij, deputeti tha se kreu i burgjeve nuk është personi kompetent për të mbajtur postin, ndërsa shtoi se në të gjitha postet shtetërore që ka mbajtur më parë, Ismaili është  kapur në shkelje ligjore.

Gjithashtu Maliqi theksoi se drejtori i burgjeve  ka kërcënuar përmes e-mail-eve punonjëset femra të burgjeve duke i etiketuar ato si “dordolecë”.  Ndërkohë ai  u ndal edhe tek formimi i Ismailit, ku tha se i rezulton se shkollën e ka kryer tek ish-Universiteti “Kristal”.


“Ju keni emëruar drejtor të përgjithshëm të burgjeve një njeri me probleme shumë të mëdha, unë iu kam shprehur shqetësimin edhe juve edhe zotit kryeministër. Meqë iu dhimbset drejtoria e burgjeve, e para çfarë shkolle ka mbaruar ky person?  Më rezulton që ka mbaruar Kristalin, e dyta a e keni parë të shkuarën e tij që është liruar nga policia ku akuzohej për lidhje ndërkombëtare me drogën? Në 2004 shkarkohet për paaftësi në detyrë, për fyerje dhe shantazhe.


Tani bëhet drejtor i përgjithshëm i burgjeve, nuk i njeh, për katër muaj ka shkuar vetëm një Fier, por çon e-mail, shantazhon, drejtorët nuk i pret. Kërcënime dhe shantazhe me drejtorin e policisë së burgjeve. Tenderat në drejtorinë e burgjeve bëhen te ministria e Brendshëm.Administrata kërkon mbështetje. Merreni dhe pyeteni të shikoni nivelin, ai kërcënon policet femra, o thotë dordolec policeve. U thotë policëve kaqola, quan kandar burgun e Vaqarrit.Ky njeri ka marrë edhe kompetenca të jashtëzakonshme. Ai shantazhon të gjithë punonjësit dhe drejtuesit, ka kërkuar të shkarkojë dy apo tre herë kunatin e nënkryetares së Kuvendit. Një ditë mund të plasë me këtë situatë”tha ai në Kuvend.

(n.m/BalkanWeb)