NGA DANIELA BONOLLARI*

Arrestimet e bujshme të zyrtarëve në Shqipëri bëhen vetëm ditën e premte. Kjo faktohet lehtësisht kur sjell në mend emra të zyrtarëve si Xhelal Mziu, Shpëtim Gjika apo Ardian Fullani, dhe shikon se prangosja e secilit prej tyre është bër ditën e premte të javës.

Por edhe pse të gjithë këta emra janë arrestuar ditën e premte, sot ata janë të lirë, dhe qëndrimi i tyre pas hekurave të burgut ka zgjatur shumë pak, deri në momentin kur Gjykata pas vendimit fillestar ‘arrest me burg’, shprehej pas pak kohësh për lirimin e tyre.

Të jetë vallë kjo ajo që quhet rëndom “E premtja e zezë”, si një mallkim për funksionarët e lartë që akuzohen për shpërdorim detyre, apo të ndizet shpresa dhe për Spiro Kserën se pas ndalimeve spektakolare, hekurat e burgut do të mbeten thjesht një ëndërr e keqe në memorien e tyre dhe të popullit gjithashtu.

Ashtu sic e tregon dhe historia nga mori dhe emrin e “Premtja e Zezë”, ata që u arrestuan në këtë ditë të javës, pavarësisht se u torturuan, u konsideruan më pas të pafajshëm.

“E premte 13 tetor 1307, një ditë aq famëkeqe, sa që bëri që e premtja, të bëhej sinonim për fatkeqësi. Oficerët e Mbretit Philip IV të Francës bënë arrestime në masë gjatë një sulmi të beftë pa aguar mirë dita, ku mijra Templarëve – iu hodhën zinxhirët e u akuzuar si heretikë, mekatarë, të përdalë, e homoseksualë. Asnjë nga këto akuza nuk u vërtetua madje as në Francë – në vende të tjera ndërkohë Templarët u konsideruan të pafajshëm”

Xhelal Mziu
Kryetari i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu është arrestuar të premten 20 Dhjetor, viti 2013 nga policia e Tiranës, teksa ndodhej në një lokal pranë presidencës. Kryebashkiaku u prangos me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi akuzohej për shpërdorim detyre dhe për pabarazi në tenderët publike në bashki. Arrestimi erdhi pas një periudhe hetimi që ka kryer njësia task force e krimit ekonomik në Prokurorinë e kryeqytetit, e cila i ishte drejtuar Gjykatës për të vlerësuar masën e sigurisë. Nga hetimet rezulton se kishte prova se dy shtetasit kane abuzuar në tenderimin e rrugës Valias i Ri –Laknas.
Por, pavarësisht zhurmës së arrestimit, Mziu sot është i lirë dhe drejton Bashkinë e Kamzës pas fitores që korri në vitin 2015, në zgjedhjet lokale, ën siglën e Partisë Demokratike.

Shpëtim Gjika
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, përfundoi në pranga pasditen e të premtes 6 Shkurt, viti 2015, në banesën e tij, ndërkohë që gjatë mbrëmjes është detyruar të lërë qelinë për t’iu drejtuar spitalit. Vetëm 5 orë pas arrestimit, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar duke detyruar dërgimin e tij për në spital.
Arrestimi i Gjikës u krye me urdhër të Prokurorisë, pasi akuzohej se kishte dhënë leje të jashtëligjshme për një pallat 11 katësh në qytetin bregdetar.
Sipas organit të akuzës, Gjika ka falsifikuar dokumentet për një pallat 11 katësh, ndërkohë që akuzohej se ka penguar hetimet e Prokurorisë për pallatin në fjalë.
Pavarësisht kalvarit dhe bujës që bëri arrestimi i Gjikës, sot ai të vetmin funksion që ka humbur ka atë të kryetarit të Bashkisë së Vlorës. Gjika ka lene pas akuzat dhe burgun dhe eshte i lire.

Ardian Fullani
E padyshim arrestimi që zgjoi shpresat tek shqiptarët se në Shqipëri po bëhet drejtësi ishte ai i Ardian Fullanit. Policia arrestoi të premten e 5 Shtatorit, 2014 Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Kreu i BSH-së akuzohej për shpërdorim detyre, pas vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë u vodhën 713 milionë. Edhe Fullani sot ndodhet i lirë, pa funksione të larta.

SPIRO KSERA
Spiro Ksera, ish-ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e kryeministrit Sali Berisha është arrestuar mbrëmjen e së premtes, 29 Janar, 2016, nga policia e Gjirokastrës.
Për arrestimin e tij është zbatuar një urdhër i prokurorisë së Tiranës i mbështetur në një vendim të gjykatës.
Ksera akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën për disa tendera gjatë kohës që ishte ministër. Hetimet kishin nisur prej pak kohësh dhe dyshohet se ai ka abuzuar për një shumë rreth 30 milion lekë të reja për tendera në organizmin e disa aktiviteteve të ministrisë.
Si bashkëpunëtor i tij dyshohet se ka qenë edhe Klevis Bitro, ish-shefi i kabinetit i cili është aktualisht në burg korrupsion. Ksera ishte ministër i punës nga viti 2009 deri në vitin 2013.

PAK HISTORI MBI ‘E PREMTJA E ZEZE’
Thuhet se shumë veprime nuk duhen bërë ditë të premte sepse është ters ose “nuk është mirë”. E premtja konsiderohet si ditë ters nga shumë individë. Si arriti kjo ditë të kthehej në simbol fatkeqsie duke bërë të “Premten e Zezë” si ditën më famëkeqe për shumë popuj të botës? Kur data 13 është e premte, a janë më të larta shanset për gjasa ogurzeza apo aksidente? Sipas një studimi, që synonte të shqyrtonte lidhjen midis shëndetit, sjelljeve e parandjenjave kur data 13 e një muaji bie në ditë të premte, autoret e këtij shkrimi krahasuan numrin e automjeteve në qarkullim me numrin e aksidenteve automobilistike në dy ditë të ndryshme, kur data 6 e një muaji qëllon e premte dhe kur data 13 e një muaji qëllon e premte.

Studimi u bë në disa vjet dhe në zonën ku u krye, megjithëse shumë më pak njerëz përdorën makinat e tyre për transport kur data 13 ishte e premte, numri i të shtruarve nëpër spitale për shkak aksidentesh automobilistike ishte më i lartë së në një të premte të zakonshme. Perfundimi: “Data e 13 e muajit, kur qëllon në një të premte, është ogurzezë por vetëm për disa njerëz. Rreziku i shtrimit në spital nga ndonjë aksident rrugor mund të arrijë deri në 52% më shumë se i një dite normale…” Megjithatë, ky është i vetmi studim shkencor i njohur deri më sot rreth këtij subjekti. Për më tepër, duket sikur ka të bëjë më shumë me natyrën njerëzore sesa me një ditë të javës aq më tepër të guxojmë ta perkufizojmë si të zezë.

Dita e gjashte e javes (e premtja në kalendarin britanik) që në kohët e lashta ka qenë e veshur me një tis ogurzi. Studiuesit thonë se është ndoshta bestytnia më e përhapur si në Amerikë, dhe në pjesë të tjera të botës. Ka njerëz që kur 13-ta e muajit qëllon e premte, nuk shkojnë as në punë, restorante apo festime. Por duhet theksuar se ka ende njerëz të tillë vazhdojnë edhe në këtë mijëvjeçar të ri të ndikohen nga kjo lloj fobie. Sipas terapistit Dr. Donald Dossey vetëm në SHBA janë të paktën 21 milion njerëz. Nëse kjo do të ishte një shifër e sakte, atëherë rreth 8% e Amerikanëve janë ende robër të një bestytnie të vjetër.

Mund të thuhet se nami i keq i së Premtes i ka rrënjët që tek Kopshti i Edenit. Mendohet që ishte e premte kur Eva ndolli Adamin me frutin e ndaluar. Adami e kafshoi e të dy u dëbuan nga parajsa. Gjithashtu Përmbytja e Madhe ndodhi në një të premte, Zoti ua lidhi gjuhët ndertuesve të Babelit në një të premte e po një e premte mban dhe kryqëzimin e Krishtit mbi supe. Për rrjedhim, një ditë fatkeqe për të krishterët. Në Romën e lashtë, e premtja ishte dita e ekzekutimeve, (më vonë dita e xhelatit në Angli). Në shoqëri të tjera pagane, ishte sabbath, dita e lutjeve e përkushtimeve, pra ata të cilët nuk u përkushtoheshin perëndive në këtë ditë, nuk do të merrnin uratën e perëndive. E si për t’i komplikuar gjërat, këto rite pagane nuk u zhdukën në Krishtërimin e hershëm, i cili bëri çmos t’i ndrydhte si zakone. Nëse e premtja ishte një ditë e shenjtë për paganët, kurrsësi nuk duhet të jetë për të krishterët – duke u quajtur kështu “përkushtimi i shtrigave” e duke shtuar edhe një histori më shumë.

Një nga hipotezat shtron se nuk u krijua si një gërshetim në vite, por nga një katastrofë, një ngjarje e vetme historike që ndodhi rreth 700 vjet më parë. Katastrofa ishte masakrimi i Kalorësve të Tempullit, një legjion legjendar murgjish, i krijuar gjatë fushatave të Kryqzatave, për të luftuar Islamin. Për 200 vjet këta ishin njohur si kontigjent luftues, por në vitet 1300 këto forca ishin rritur aq shumë në numër sa filloi të kosiderohej nga monarkët e klerikët e asaj kohe si një kanosje politike, andaj dhe u shpartallua nga një konspiracion kleriko-qeveritar.

“E premte 13 tetor 1307, një ditë aq famëkeqe, sa që bëri që e premtja, të bëhej sinonim për fatkeqësi. Oficerët e Mbretit Philip IV të Francës bënë arrestime në masë gjatë një sulmi të beftë pa aguar mirë dita, ku mijra Templarëve – iu hodhën zinxhirët e u akuzuar si heretikë, mekatarë, të përdalë, e homoseksualë. Asnjë nga këto akuza nuk u vërtetua madje as në Francë – në vende të tjera ndërkohë Templarët u konsideruan të pafajshëm. Në shtatë vitet që pasuan, me qindra Templare duruan tortura çnjerzore në mënyrë që të nxirrnin “të vërtetën” e më shumë se 100 prej tyre vdiqen si pasojë e dhunës ose u dogjen në turrën e druve”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: