TIRANË- kKreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka dalë sot para mediave për të publikuar disa fakte sipas tij, që lidhen me inceneratorët e djegies së plehrave. Ai deklaroi se qeveria ka vendosur më 23 nëntor një taksë të re për pelhrat nga e cila synohet të financohen inceneratorët.

Ai deklaroi se skema financohet me taksën që detyron OSHEE-në të blejë energjinë e prodhuar nga inceneratorët.

Deklarata e plotë e Jamarbër Malltezit
Më 23 Nëntor 2017 Edi Rama u ka vendosur shqiptarëve një taksë të re, të padëgjuar kurrë më pare, taksën e plehrave, taksë e cila do të hyjë në xhepat e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt nëpërmjet vënies në punë të fabrikave të djegies së plehrave në Tiranë, Fier dhe Elbasan.

“Taksa” nuk është një term i shpikur nga Partia Demokratike për të akuzuar qeverinë, por është shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentin e miratuar më 23 Nëntor nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, me Kryetar njërin nga pronarët e vërtetë të 3 inceneratorëve, Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.

vendimi ndihmes shteterore per inceneratoret - 23 nentor 2017

Ja të nderuar shqiptarë vendimi Nr. 77, datë 23 Nëntor 2017 i Komisionit të Ndihmës Shtetërore, ku thuhet qartë se bizneset që do të gjenerojnë energji nga plehrat do të marrin ndihmë shtetërore për të paktën 15 vjet.

Pra, nuk ndihmohet prodhimi i energjisë së pastër, energjisë diellore apo të erës, por ndihmohet nga shteti energjia e prodhuar nga fabrikat e plehrave të Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës.

Ja, edhe pika 10 ku thuhet se “Skema financohet nga një “taksë”, e ashtuquajtura detyrim i shërbimit publik (ndaj Operatorit të Shpërndarjes), të cilit i është ngarkuar detyrimi për blerjen e energjisë nga prodhuesit e energjise prej pjesës së biodegradueshme të mbetjeve të ngurta dhe më pas për ta ofruar dhe shitur në treg”.

 

vendimi 77 per ndihme shteterore inceneratoreve

Çfarë do të thotë kjo me fjalë më të thjeshta dhe më të kuptueshme?
Kjo do të thotë se skema financohet me taksën që detyron OSHEE-në të blejë energjinë e prodhuar nga inceneratorët e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt me çmimin që do të përcaktojë po Edi Rama dhe Arben Ahmetaj në Entin Rregullator të Energjisë.

Kjo do të thotë se, jo vetëm që Rama dhe Ahmetaj po marrin 178 milionë euro nga taksat tona për 3 inceneratorët që do të djegin plehra dhe do të lëshojnë helme në ajër, por ata kanë vendosur “taksën e plehrave,” që të shesin energjinë e prodhuar nga inceneratorët dhe të vazhdojnë të pasurohen për vete!

Nuk ka ndihmë shtetërore as për të përmbyturit, as për naftëtarët, as për të përndjekurit politikë, as për ish-pronarët, as për të papunët, as për kryefamiljarët që nuk ushqejnë dot fëmijët, as për të rinjtë që braktisin vendin. Ndihmë ka vetëm për inceneratorët e Edi ramës dhe Arben Ahmetajt.

Afera e inceneratorëve është një nga aferat më korruptive të qeverisë Rama. Nga tre kontratat klienteliste të inceneratoreve, vetëm ajo e Elbasanit është bërë publike.

vendimi 77 per ndihme shteterore inceneratoreve - taksa

Partia Demokratike faktoi me dokumenta se sesi korrupsioni detyron qeverinë të kryejë Brenda 24 orëve 9 procedura të komplikuara, të cilat marrin zakonisht disa muaj.

Kontratat e djegësave te Fierit dhe Tiranës nuk janë botuar as ne buletinin e Agjensisë së Prokurimeve Publike dhe as në Fletoren Zyrtare.

Këto përbejnë vepra penale, sepse shteti po nxjerr 74 milionë euro para publike në vit, pa botuar fare kontratat, duke i konsideruar si sekret shteteror!

Në një vend ku drejtësia nuk kontrollohet nga kryeministri, kjo dosje do të përbënte prioritet të prokurorisë. Por në këtë vend ku është prishur busulla morale, PESHKU I MADH PO PESHKON PESHKATARET!

Partia Demokratike inkurajon mediat të mos heshtin, të mos bëhen palë me ata që shkatërrojnë shëndetin e shqiptarëve, të mos lejojnë që milionat e inceneratorëve të djegin integritetin e medias dhe të helmojnë burinin e informacionit për shqiptarët.

Partia Demokratike fton qytetarët të bashkohen me opozitën në 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes që nuk mendon për shëndetin tonë, por për pasurimin e kryeministrit dhe një grusht njerëzish rreth tij.
Së bashku, ne 27 Janar ne mund t’ia dalim!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb