NGA VALENTINA MADANI* TIRANE-Kreu i Departamentit për Ambientin e Turizmin në PD, Jamarbër Malltezi argumenton për “Gazeta Shqiptare” shpërfilljen, sipas tij, të shtetit ligjor dhe përdorimin e institucioneve për interesa vetjake nga persona të dyshimtë e pa tagër ligjor. Malltezi denoncon pikërisht Drejtorin e Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha, për të cilin thotë se mbikëqyr të gjitha veprimet e prishjeve selektive të INUK-ut me një “Mercedez” 120 mijë euro dhe pa targa, duke servirur edhe foto ku, sipas tij, dallohet qartë Hoxha gjatë aksioneve të INUK-ut. Njëherësh ai denoncon dhe 16 raste të paligjshme të ndërtimeve pa leje të disa prej zyrtarëve të lartë socialistë e njerëz të afërt pranë tyre, për të cilët Malltezi thotë se nuk po ndërhyn ligji.

Z.Malltezi, ju keni akuzuar Drejtorin e Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha, se ndjek çdo aksion të INUK-ut me makinë pa targa. Si qëndron e vërteta?
Shumë qytetarë, por edhe dy inspektorë të INUK-ut, na kanë konfirmuar që prishjet e ndërtimeve në Tiranë kryhen në mënyrë selektive dhe në krye të operacionit është Ergys Hoxha, i përfolur si sekseri kryesor i Edi Ramës. Por njëherësh ai është edhe një person pa tagër ligjor, gjë që çon në keqpërdorim për interesa personale të dyshimta korruptive të institucioneve të shtetit. Është e turpshme që operacionet e prishjeve komandohen nga njerëz brenda një “Benz”-i të ri me vlerë rreth 120.000 euro, pa targa, pranë makinës së policisë dhe polici bën rreshtore para makinës që qarkullon në mënyrë të paligjshme. Qoftë disa qytetarë, por edhe inspektorë të INUK-ut, na konfirmuan që personi në këtë makinë pa targa ishte Ergys Hoxha, një person që është i njohur për përdorimin e automjeteve të trafikantëve dhe me targa të tjera false në makinë, si edhe për kërcënimet verbale ndaj policisë para pak muajsh, ku u deklarua se kinse z. Rama e kishte shkarkuar nga Drejtor i Antikorrupsionit.

Dhe cili ka qenë reagimi i autoriteteve në rastin “Hoxha”?
Gjatë debatit të pak ditëve më parë në studion e “Opinion”, kreu i Legalizimeve, z.Lame, me gjithë rolin e tij zhurmues si edhe drejtoresha e INUK-ut, nuk u ndjenë për prezencën dhe drejtimin e operacioneve nga Ergys Hoxha. Vetëm nga fundi i emisionit dhe me sa duket pas marrjes së instruksioneve nga z. Rama, drejtoresha e INUK-ut tha se Ergys Hoxha me makinat e tij të shtrenjta merrte pjesë në këtë aksione, pasi INUK-u “koordinon” punën me zyrën e Antikorrupsionit në Kryeministri. Mënyrën e “koordinimit” të punës me këtë zyrë po ua lëmë qytetarëve ta zgjidhin. Kjo pasi INUK-u shkon dhe prish pa parë as nëse ALUIZNI i ka futur emrin në VKM për t’u legalizuar dhe, për më tepër, ka edhe prishje të ndërtesave me hipotekë, gjë për të cilën kemi dokumente, që vetë drejtoresha e INUK-ut pyet si është puna, pasi “INUK nuk ka asnjë dijeni për këtë çështje”. Një inspektor i INUK-ut ishte i gatshëm të vinte në emision dhe ia bëra këtë sfidë Lames, por bëri sikur nuk e dëgjoi. Inspektori donte të dëshmonte që institucioni ishte përdorur dhe komanduar nga persona pa tagër ligjor dhe në mënyrë korruptive, për interesa vetjake. Pranonte që disa punonjës kanë shkuar deri edhe në shkelje ligji dhe janë keqpërdorur deri edhe si qen roje (siç thoshte), për interesa vetjake të disa personave. Gjithashtu, mund të dëshmonin edhe për raste korruptive, që ishin lënë objektet të vijojnë punën ndonëse kishte vendim prishjeje, siç është rasti i një lokali tek sheshi i lojërave mes hapësirës publike përballë Hotel Diplomat.
Si është e vërteta për Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë? Ç’po ndodh realisht me ruajtjen e tij?
Nuk e besoj dot që z. Lame nuk guxon të shprehet për ruajtjen e Parkut të Liqenit të Tiranës. Gjatë punës për hartimin e Planit Rregullues së Tiranës, ndër ato dhjetëra mbledhje të zhvilluara, z. Lame mori pjesë në të paktën 4-5 prej tyre dhe në secilën mbledhje foli, u dëgjua dhe mori përgjigje, qoftë nga kryetari i Bashkisë, z. Basha, qoftë nga bashkautorët e hartimit të planit, si z. Kuçi ose z. Lufi. Në një nga ndërhyrjet, z. Lame u shpreh skeptik për shtimin e parqeve të reja në Tiranë, por ishte kategorik për mbrojtjen e Parkut të Liqenit.

Ndërsa në debat, sapo mori vesh që ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës në Surrel po ndërton 2 vila brenda Parkut të Liqenit dhe ka vendim për prishje nga INUK-u, dredhoi dhe nuk u ndie fare, as për nevojën e mbrojtjes së Parkut dhe as për nevojën e zbatimit të shtetit ligjor dhe prishjen e paligjshmërisë, për të cilën ka vendim prishjeje. Për fat të keq, kërkoi të fshihej me pseudoargumentin se kur e kishte ndërtuar. As ligji i planifikimit të territorit dhe as plani i Tiranës (i hartuar edhe me kontributin modest të z. Lame) nuk lejojnë dhënien e lejeve zhvillimore për banim brenda Parkut të Liqenit dhe, për më tepër, as ligji i legalizimit nuk lejon legalizimin e ndërtimeve brenda parqeve. Vija e Parkut të Liqenit është vendosur qysh kur z. Lame ka qenë zv/ministër i Territorit dhe miratuar në KRTRSH, por kur nuk i pëlqen bën sikur e harron. Lame protestonte deri në situata anormale për cenimin e parkut pse aty po ndërtohej Unaza e Madhe e Tiranës (investim madhor publik që u shërben mbi 1 milion banorëve), e cila priste disa pemë, por nuk u ndie as për mbrojtjen e parkut dhe as për funksionimin e shtetit ligjor. Unë i kam publikuar fotot e ndërtimeve të dy vilave nga ndërtuesi i sarajeve të gjera 55-metroshe të Edi Ramës në Surrel, por ndonëse ka edhe vendim prishjeje, aty INUK-u bëhet S’NUK ose EUNUK, se po merret me ca gjëra më të rëndësishme, si ndonjë dyqan 5 me 5 në qytet, ku duhet të shkojë i pari ai personi me “Benz”-in 120.000 euro, pa targa.

Gjithsesi, a po vepron ligji njësoj për të gjithë qytetarët?
Jo. Për shembull, sarajet e Koço Kokëdhimës në breg dhunojnë 5 ligje dhe 2 plane urbane që janë në fuqi. Por aty INUK bëhet S’NUK. Një ndërtim i paligjshëm në gjendje përdhese (1 kat me betone) pati vendim prishjeje nga INUK-u që mban numrin e vendimit 668, më datë 03.04.2007, por në përputhje me shtetin ligjor që i lejon qytetarit të ankimohet dhe të respektohet vendimi i gjykatës; Koço në mënyrë të dyshimtë arriti të merrte një vendim pezullimi të veprimit të INUK-ut në Gjykatën e Vlorës në 2007, dhe e mbajti çështjen zvarrë për 2 vjet, derisa më pas e paraqiti sikur INUK-u ishte shprehur gabim, se nuk ishte e Koços, por e vëllait, dhe për pasojë nuk ka vendim për prishje të ndërtesës së vëllait të Koços, ndaj dhe mund të mos prishej. Mori edhe një vendim tjetër prishjeje nga INUK-u në 2010, por përsëri Koço mori vendim pezullimi. Deri në maj 2013 ndërtesa ishte përdhese dhe zinte veç 100 m2, por dhunonte ligjin e rezervave ujore, pasi ishte jo vetëm shumë pranë detit, por edhe mu buzë ligatinës së Qeparoit, që është vend strehimi për shpendët që migrojnë. Në maj-qershor 2013 hidhen me shpejtësi 2 kate, siç mund ta keni parë, pasi institucionet në fushatë zgjedhore nuk veprojnë, ose Koço, duke qenë deputet i sigurt i Vlorës u premtoi personave përgjegjës favore politike. Ndërkohë, ky ndërtim abuziv që dhunon 5 ligje dhe bie ndesh, qoftë me Planin Rajonal, edhe me Planet vendore të Bashkisë Himarë të miratuara në KKT, në qershor 2014 zmadhohet trefish. Ky ndërtim abuziv tallet edhe me atë që kupton Lamja me shtet ligjor. Një tjetër rast është ai i një ndërtimi të paligjshëm 6-katësh i Sadri Abazit, në uzurpim të tokës së familjes Gjinali, që i zë edhe ajrin pallatit mbrapa që është i ligjshëm. INUK bëhet S’NUK, se nuk e ka ende në plan këtë zonë.

Po ashtu, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka bërë ndërtim pa lejë tek Brryli në Durrës, pa leje nga KKT dhe pa leje mjedisore. Ndaj unë kam një pyetje: A do veprojë ligji? A do veprojë ligji dhe shteti ligjor për këto raste? Konkretisht: 1. Koço Kokëdhima në Qeparo dhunon 4-5 ligje, 2 plane urbane dhe ka vendim prishjeje. 2. Ndërtuesi i sarajeve 55 m të gjera të Ramës në Surrel po ndërton 2 vila të mëdha brenda Parkut të Liqenit. 3. Sadri Abazi – 5 pallate të paligjshme tek ish-serat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u. 4. Sadri Abazi – 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek Zogu i Zi, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. 5. Sadri Abazi, 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. 6. Vangjush Dako, pistë në det tek Brryli, pa leje KKT, dhunon 4 ligje. 7. Vangjush Dako, leje ndërtimi mu në rërë, veç 20 metra nga deti tek zona Iliria. 8. Vangjush Dako, 10-katësh tek Shkëmbi i Kavajës, në dhunim edhe me planin e Lames së 2005. 9. Ndërtuesi i Ramës përmbi dhe brenda Kalasë së Tiranës – Monument Kulture i kategorisë së 1-rë. 10. San Giovani, brenda në park dhe veç 30 metra nga të tjerat që u prishën. 11. Dako tek sheshi kryesor i Kombinatit. 12. Shefi i sektorit në INUK (Nela), ndërtim 3-katesh në lulishten e Kombinatit. 13. Koço, shtesa anësore pallatit për të cilin kishte futur edhe rrugën 15-metroshe në shesh ndërtimi tek Brryli. 14. Rakip Suli, shtesë anësore 2-katëshe në Laprakë. 15. Krenar Cenollari, zënie hapësire publike dhe shtesë kati në Kombinat. 16. Reshit Cullhaj, Elez Gjozaj, shkolla Kristaq Rama etj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb