KOSOVE-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë me dije se pas seancës së nesërme në Kuvend pritet që deputetët ta votojnë rezolutën për dënimin e krimeve të kryera nga Serbia, e cila është sponsorizuar nga grupi parlamentar i PDK-së.

Rreth kësaj rezolute, politologu Albinot Maloku, mendon se së pari Kuvendi i Kosovës në eksperiencën e saj, e di mirë sa rezoluta janë miratuar dhe asgjë nuk kanë prodhuar, përveç një debati politik ditorë.
“Çështja e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit shqiptar dhe Kosovës duhet të trajtohet si e tillë çfarë është, pra është shumë çështje serioze. Duke u nisur nga kjo, por edhe nga fakti që shteti i Kosovës, ende nuk e ka përfunduar hulumtimin në tersi, sistematizimin dhe përgatitjen e materialeve nga aspekti ligjor, për tu përdorur pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si lëndë kundër Serbisë, mendoj që rezoluta do të jetë e padobi”, thotë Maloku për gazetën “Bota sot”.

Por, në këtë aspekt, sipas Malokut, shteti ynë e di mirë se Serbia ndaj Kosovës ka ushtruar të gjitha llojet e krimit të dënuar sipas çdo ligji ndërkombëtar të aplikuar në botë.
“Llojet e krimit ndaj Kosovës e shqiptarëve kanë qenë prej aparteidit, agresionit kushtetues, agresionit ushtarak, helmimeve, dhunimeve, vrasjeve, masakrave e deri te djegia e mbetjeve mortore, si akti më i lartë i krimit, pra tentimi për zhdukjen e fakteve. E mos të flasim për shkatërrimin e pasurisë shoqërore e individuale deri në zero. Shikuar nga ky aspekt, përmendja se Kuvendi i shtetit të Kosovës e ka në plan të nxjerr një rezolutë si fazë fillestare e nisjes së padisë kundër Serbisë, nuk më duket aspak serioze, sidomos nga aspekti strategjik i saj, e mos të flas për përmbajtjen e kësaj rezolute, nga se kjo ende nuk ka dalë në opinion”, thekson ai.

Politologu potencon se, momenti kur Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e plotë me të drejta e përgjegjësi të barabarta me shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku edhe i jepet e drejta për të nisur procedurë ligjore pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk duhet ta gjejë shtetin tonë të pa përgatitur.

“Deri në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, maksimalisht duhet shfrytëzuar kohen për tu përgatitur deri në detal, për të gjitha llojet e krimit të ushtruar nga Serbia ndaj shqiptarëve e Kosovës, dhe kjo përgatitje duhet të nis sa më parë, pa zhurmë e pompozitet. Nisur nga përvoja e Bosnje dhe Hercegovinës dhe e Kroacisë kundër Serbisë, mendoj që Kosova duhet të përgatitet edhe më mirë në momentin kur padia të bëhet e mundur të ndodh pranë GJND-së”, thotë politologu Albinot Maloku.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: