Dhjetëra shtetas sauditë që i përkasin dy familjeve më të pasura të vendit u bënë qytetarë maltezë – dhe kështu qytetarë të Bashkimit Evropian – vitin e kaluar pas pagimit të miliona dollarëve për të blerë pasaportat e vendit, raportoi gazeta Times of Malta.

Malta nisi procesin e debatueshëm të shitjes së pasaportave në vitin 2013 kur shtetësia malteze mund të blihej për 650,000 euro (743,000 dollarë).

Pasaporta malteze lejon lirinë e lëvizjes brenda BE-së, pasi mbajtësi i pasaportës ka automatikisht shtetësi evropiane.
Gjatë kësaj jave, gazeta e qeverisë së Maltës publikoi emrat e 62 sauditëve që i përkisnin familjeve al-Muhaidib dhe al-Agil, të cilët u emëruan nga revista Forbes si ndër më të pasurit në botë.

Gazeta theksoi se anëtarët e familjes, shumica prej tyre të mitur, u bënë qytetarë maltezë në 2017 dhe mund të mos kenë hyrë kurrë në territorin maltez. I themeluar në vitin 1946, grupi Al-Muhaidib merret me ndërtimet dhe produktet ushqimore. Ajo drejtohet nga Sulaiman Al-Muhaidib, pasuria e të cilit, sipas Forbes, tejkalon 3.4 miliardë dollarë.

Ai mori pasaportën malteze së bashku me 34 vëllezërit, bashkëshortët dhe anëtarët e familjes së tij.
Familja al-Agil, e cila zotëron perandorinë e biznesit të Grupit Jarir, ka një pasuri prej mbi 1.7 miliardë dollarë dhe ka marrë 27 pasaporta malteze.

Grupi Jarir, i cili është i listuar në bursën e Arabisë Saudite, kontrollohet nga vëllezërit Mohammed, Abdulkarim, Abdulsalam, Abdullah dhe Nasser. Të gjithë ata morën pasaporta malteze.
Sipas Times of Malta, lista e botuar nga gazeta nuk jep informacion mbi sasinë e parave të paguara nga familjet e Muhaidib dhe Agil për pasaportat.

Autoritetet e Maltës kanë refuzuar thirrjet për të publikuar një listë të të huajve që kanë marrë shtetësinë përmes pagesës dhe në vend të kësaj publikojnë emrat e shtetasve të rinj maltezë çdo vit, duke përfshirë edhe ata që kanë kaluar nëpër procesin e gjatë të natyralizimit.
Sipas Times of Malta, një pjesë e madhe e blerësve të pasaportës malteze janë nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb