Nga Rashela Shehu
Në kuadër të javës së shëndetit një ambulancë lëvizëse do të qëndrojë në sheshin “Skënderbej” për të ofruar mamografi dhe paptest falas për të gjitha gratë dhe vajzat.

Kjo ambulance lëvizëse, e stacionuar në sheshin Skënderbej, ka për qëllim t’ju vijë në ndihmë grave dhe vajzave, në luftën kundër kancerit. Iniciativa e përbashkët e Ministrisë turke të Shëndetësisë dhe asaj shqiptare, ofron falas shërbimin e mamografisë dhe paptestit, nga mjeke turq dhe shqiptarë. Ministrja Ogerta Manastirliu, u shpreh se brenda këtij viti 5 mamografi te reja do të instalohen ne spitalet rajonale.

“5000 gra bëjnë çdo vit ekzaminimin për parandalimin e kancerit në të gjithë Shqipërinë. Vetëm në 3 muaj kanë kryer 900 gra mamografinë. Kemi nevojë të fuqizojmë këto programe për parandalimin e kancerit”, tha Manastirliu.

I pranishëm në ceremoni, Zëvendës ministri turk i Shëndetësisë Ahmet Baha Ogutken ka ndarë lajmin se një numër pacientesh që mund te diagnostikohen me kancer do të mjekohen në Turqi.

“Në kuadër të luftës ndaj kancerit, kjo ambulancë shëtitëse ka bërë 1000 km, ka udhëtuar 15 orë, dhe ka ardhur nga Turqia në Shqipëri për të ndihmuar grate shqiptare. Ne shpresojmë që të gjitha gratë të rezultojnë të shëndetshme nga këto ekzaminime, por nëse do të ketë gra që do të kenë probleme të lidhura me tumoret, ne do të garantojmë kurimin e një pjesë prej tyre në klinikat tona në Turqi”, tha Zv. ministri turk i Shëndetësisë.

Ambulanca rozë do të qëndrojë nga data 3 deri 5 prill në sheshin Skënderbej, nga ora 9 deri 18:00 për të ofruar shërbimin e mamografisë dhe paptestit, falas për gratë dhe vajzat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb