TIRANE- Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije grafikun e mamografive të lëvizshme për 2 javët në vijim. Sipas tij, deri në 13 nëntor njësia e parë e mamografisë së lëvizshme do të jetë në Selenicë, ndërsa mamografia e dytë do të jetë në Klos, po deri në këtë datë. Ndërkaq, ISHP sqaron se ekzaminimin falas mund ta kryejnë gratë e interesuara në moshën mbi 50 vjeç, ose ato të moshës 40-50 vjeç që konsiderohen me risk më të lartë.

Me risk të lartë do të konsiderohen ato gra që: janë bartëse të defekteve gjenetike, që kanë histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit si dhe rastet kur është vërejtur fillimi i hershëm dhe mbarimi i vonshëm i menstruacioneve.

Po ashtu, mund të kryejnë mamografi falas gratë e moshës 40-50 vjeç në rast moslindje ose lindje të fëmijës mbi 30 vjeç, që janë obeze, që kanë ind të ngjeshur të gjirit si dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik.

ISHP sqaron se të gjitha gratë e interesuara të grupmoshave të përmendura mësipër duhet të kontaktojnë Drejtorinë e Shëndetit Publik të rrethit përkatës dhe të regjistrojnë emrin në listë. Ato do të kontaktohen nga personeli shëndetësor për ditën dhe orën e ekzaminimit sipas radhës të përcaktuar nga specialistët e këtij institucioni.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: