TIRANË

Pas konsultimeve të vazhdueshme prej më shumë se 2 muajsh me ekspertë, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi në një takim të gjerë me mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë, ndryshimet në kodin penal, që ashpërsojnë masat në rastet e dhunës ndaj profesionistëve të shëndetit si dhe vendosin linjën e qartë ndarëse, mes atij që është gabim mjekësor dhe neglizhencë në mjekim.

“Në Kod, do të parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj profesionistëve të shëndetit është e dënueshme nga 1 deri në 5 vite lirie. Gjithashtu, parashikohet një rëndim i dënimit për kanosjen e mjekut, duke shtuar një paragraf të ri në ligj që dyfishon dënimin për kanosjen e tyre. Shtohet gjithashtu një nen i ri, kundravajtje penale për “pengimin e ushtrimit të detyrës së profesionistit shëndetësor”, çka do të ofrojë një mbrojtje shtesë për të gjithë personelin mjekësor”, tha Manastirliu.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që propozohet dhe do të ndërmerren, lidhet me ndarjen e gabimit mjekësor nga neglizhenca në mjekim.
“Ka qenë një kërkesë e kahershme e komunitetit të mjekëve për dekriminalizimin e gabimit mjekësor. Me këto ndryshime është hequr si vepër penale gabimi mjekësor, por neglizhenca në mjekim dënohet në mënyrë të përshkallëzuar, në varësi të shkallës së dëmtimit të pacientit”, tha Manastirliu.

Dispozita aktuale “mjekim i pakujdesshëm” penalizonte mjekun ose personelin tjetër mjekësor edhe për gabimin mjekësor. Mjekimi i pakujdesshëm e dënonte mjekun ose personelin tjetër mjekësor deri në 5 vjet. Në ndryshimet e propozuara mjekimi i pakujdesshëm është hequr si vepër penale, ndërsa neglizhenca në mjekim do të jetë e dënueshme, por ndryshe nga më parë, do të ketë përshkallëzim të ndëshkueshmërisë për rastet e neglizhencës mjekësore. Më parë, neni 96 i kodit penal, ishte përgjithësues dhe ndëshkonte më të njëjtën ashpërsi si veprime të cilat sjellin pasoja minimale për shëndetin e pacientit, ashtu edhe veprime të cilat çonin në gjymtime apo pasoja fatale në shëndetin e pacientit.

Gjatë fjalës së saj në bashkëbisedimin me mjekët, Ministrja e Shëndetësisë mbajti një qëndrim të prerë lidhur me korrupsionin e bluzave të bardha. Duke e konsideruar një fenomen që turpëron të gjithë armatën e bluzave të bardha, Manastirliu deklaroi zero tolerancë për korrupsionin në shëndetësi.

“Ngjarja që ka ndodhur dy ditë më parë në një nga shërbimet ku është investuar më shumë në fakt, në Radioterapinë e shërbimit Onkologjik, është e turpshme dhe e dënueshme. Sikundër reaguam menjëherë me shkarkimin nga puna, nuk do të hezitojmë në asgjë moment për të ndëshkuar këdo që kushtëzon shërbimin falas në institucionet publike me pagesa të paligjshme. Nuk do të ketë tolerancë”, tha Manastirliu.

Duke referuar reagimin e një mjeke të re, e cila e indinjuar për ngjarjen e përfshirjes së personelit mjekësor në korrupsion, Manastirliu tha se duhet të ndërmarrim një operacion për të hequr infeksionin në shëndetësi.

“Unë jam në krah të çdo qytetari që denoncon, por edhe ju duhet të jeni në krah të çdo qytetari që denoncon dhe askush nuk mund të falet sepse përpos faktit që kryen një vepër të paligjshme, thellon hendekun mes jush dhe pacientëve”, tha Manastirliu.

Manastirliu ndau me profesionistët e shëndetësisë edhe ndryshimet ligjore në ligjin e kujdesit shëndetësor, të miratuara dje në Kuvend, ku theksoi se auditi klinik do të garantojë ndjekjen e çdo rasti, që nga momenti i diagnostikimit deri në trajtim të pacientëve sipas protokolleve të mjekimit, gjë e cila do të sjellë më shumë cilësi në shërbimet e kujdesit shëndetësor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb