DURRES

Karrige me rrota falas dhe shërbime sa më pranë komunitetit për personat me aftësi të kufizuar. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi mëngjesin e sotëm Qendrën e Zhvillimit në Durrës, ku shpërndau karrige me rrota për personat me aftësi të kufizuar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po mbështet një shërbim shumë të rëndësishëm që i mundëson pavarësi lëvizje personave më aftësi të kufizuar, siç është shërbimi i karrigeve me rrota falas. Vetëm gjatë këtij viti, 850 persona me aftësi të kufizuar janë pajisur me karrige me rrota falas, që nga fëmijë të vegjël e deri te të moshuarit”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në Qendrën e Zhvilimit në Durrës, e cila është një model jo vetëm sa i takon shërbimeve që ofrohen për personat me aftësi ndryshe, por edhe për rriintegrimin e tyre në familje dhe në shoqëri, Manastirliu vuri theksin te ngritja e qendrave të reja për personat me aftësi ndryshe.

Gjatë vizitës në Qendrën e Zhvillimit Durrës, Ministrja Manastirliu bëri edhe një apel për punësimin e personave me aftësi ndryshe.

“Gjithëpërfshirja për personat me aftësi të kufizuar nuk mund të mjaftohet me shërbimet që ofrohen. Punësimi është një element shumë i rëndësishëm për rriintegrimin e tyre. Ndaj ju bëj apel institucioneve publike dhe jopublike, të punësojnë personat me aftësi ndryshe, jo vetëm si një detyrim ligjor, por edhe për të treguar përgjegjësinë sociale dhe detyrimin moral që gjithësecili prej nesh ka, për rrintegrimin dhe gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuar”, tha Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb