VLORË

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka mbledhur Task-Forcën e mbarëvajtjes së sezonit turistik në Vlorë. Takimi u drejtua nga Prefekti i qarkut Vlorë Flamur Mamaj dhe Ministrja Ogerta Manastirliu, me prezencën e drejtuesve të institucioneve të këtij qarku. Ministrja Manastirliu ka nënvizuar rëndësinë e angazhimit maksimal për të rritur garancinë e shërbimeve ndaj turistëve, me qëllim zhvillimin e turizmit në vend, si një sektor strategjik.

“Rëndësi ka bashkëpunimi ndërinstitucional për të garantuar sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm. Për të hedhur bazat që çdo vit të garantojmë sigurinë për turistët dhe pushuesit. Për të zbatuar angazhimin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar turizmin në vendin tonë, si një sektor strategjik”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve shëndetësore të vijojnë gatishmërinë. “Mbi 9700 shërbime shëndetësore janë ofruar në Qarkun Vlorë në qendrat shëndetësore verore dhe rreth 200 raste referuar në spital. Shërbimi ndaj qytetarit duhet të jepet në kohë dhe me cilësi. Shërbimi shëndetësor është shtuar këtë vit në sezon tursitik, pikërisht nga besimi i rritur i qytetarëve ndaj sistemit shëndetësor. Eshtë ulur numri i referimeve në spitale, sepse ofrohet shërbim cilësor në qendra shëndetësore”, tha Manastirliu.

Nga 1 Qershori, mbi 37 mijë pushues dhe turistë kanë marrë shërbim në 28 qendrat shëndetësore verore dhe rreth 600 raste janë referuar në spital. Manastirliu theksoi se institucionet duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë ketij sezoni turistik edhe sa i përket inspektimeve.

“Rreth 3400 kontrolle janë kryer nga Inspektoriati Shëndetësor, nga të cilat, mbi 700 vetëm në qarkun Vlorë, ku janë marrë masa administrative, paralajmërime, apo mbyllje te subjekteve për përseritje të shkeljeve. Nuk do të ketë tolerancë për subjektet që nuk respektojnë ligjin”, tha Manastirliu.

Duke theksuar vijimin e angazhimit sa i përket inspektimeve higjeno-sanitare, Manastirliu tha se aksioni i nisur duhet të kthehet në një sistem të integruar mes institucioneve për të garantuar sezon turistik të sigurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb