Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka siguruar qytetarët në Laç se shërbimi provizor i urgjencës nuk do të ndërpritet në asnjë moment, ndërkohë që po merren masa për një zgjidhje më të qëndrueshme, deri në rindërtimin e spitalit bashkiak të Laçit, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti i datës 26 nëntor.

“Shumë faleminderit mjekëve dhe infermierëve për punën që po bëni edhe në këtë pikë provizore të urgjencës, që e kemi vendosur menjëherë në funksion të qytetarëve, ndërsa shërbimet e patologjisë, të obstetrikës të kirurgjisë, ofrohen në spitalin e Lezhës. Ndërkohë që gjithë organizimi me Urgjencën Kombëtare për sa i përket vajtjes në Lezhë do të jetë shumë efikas sepse do të shtohen dhe autoambulancat që të kemi një qarkullim më të shpejtë”, tha Manastirliu.

Aktualisht shërbimi i urgjencës në spitalin e Laçit po ofrohet në një çadër mjekësore të mirëpajisur me të gjitha mjetet e nevojshme të urgjencës si dhe një strukturë lëvizëse e urgjencës.
Duke siguruar se do të gjendet së shpejti një zgjidhje më e qëndrueshme për shërbimin e urgjencës, Manastirliu tha se spitali i Laçit do të rindërtohet.

“Sipas akt konstatimit të ekspertëve, ky spital është i dëmtuar në strukturë dhe plani afatmesëm është rindërtimi i spitalit të ri bashkiak të Laçit, si pjesë e planit të rindërtimit të strukturave të dëmtuara nga tërmeti”, tha Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb