Gjatë prezantimit të ekipit të ri të mjekëve specialistë, të cilët i janë bashkuar spitalit rajonal të Lezhës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, prezantoi projektin për transformimin e spitalit të Lezhës, që nis me ndërtimin e maternitetit të ri.

“Kemi finalizuar projektin për transformimin e spitalit rajonal Lezhë, që nis këtë vit me ndërtimin e maternitetit të ri, i cili do të jetë pjesë e korpusit spitalor”, tha Manastirliu gjatë takimit me mjekët e këtij spitali.

Janë 350 milion lekë nga buxheti i shtetit, të cilat do të investohet për ndërtimin e maternitetit të ri në Lezhë. Godina e re e maternitetit do të ketë të gjitha shërbimet, duke filluar nga urgjenca, sallat e lindjes, dy salla operacioni, me një kapacitet 50 shtretër.

Duke deklaruar se ky është investimi më i rëndësishëm prej më shumë se 2 dekadash në këtë spital, Ministrja Manastirliu tha se projekti do të vijojë edhe në dy faza të tjera, me rehabilitimin e Poliklinikës së spitalit dhe rehabilitimin e plotë të godinës qendrore të spitalit të Lezhës.

Këto deklarata Ministrja Manastirliu i bëri gjatë prezatimit të 9 mjekëve specialistë në shërbimet e gjinekologjisë, kardiologjisë, kirurgjisë, urgjencës, reumatologjisë, onkologjisë, mikrobiologjisë dhe mjekësisë transfuzive, duke mundësuar edhe shërbime që nuk ofroheshin më parë në këtë spital.

“E kemi dëgjuar shpesh që mungojnë mjekët specialistë. Politika e bllokimit të specializimeve për 4 vite patjetër që shkaktoi probleme dhe mungesa, por sot, pas katër vitesh specializim ja ku janë mjekët e rinj që po ofrojnë shërbime të specializuara. Janë 167 mjekë specialistë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, që prej muajit Mars janë atashuar pranë spitaleve rajonale dhe bashkiake në vend”, tha Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb