Juventusi, aktualisht mban vendin e parë në Grupin H të Ligës së Kampionëve, me pikë maksimale, pas fitoreve kundër Valencias dhe Young Boys. Vizita në “Old Trafford”, për të luajtur kundër Manchester United të Jose Mourinhos, është ndeshja e tretë e kësaj faze të kompeticionit më të rëndësishëm kontinental për klubet. Në prag të kësaj përballjeje të ethshme dhe të shumëpritur nga futbolldashësit në glob, po ju njohim me disa të dhëna dhe shifra:


– Herën e fundit, kur Manchester United dhe Juventusi janë ndeshur mes tyre, ishte në fazën e dytë të grupeve të Champions-it, sezoni 2002-2003. “Djajtë e Kuq” kanë fituar në të dyja lojrat (2-1 në shtëpi dhe 3-0 në transfertë).


– Manchester United i ka fituar tri ndeshjet e fundit zyrtare kundër Juventusit, një më shumë se ato të arritura në nëntë përballjet e tjera mes tyre (2 fitore, 2 barazime, 5 humbje).


– Sa herë që Manchester United dhe Juventusi janë përballur në Europë, njëri nga ekipet ka arritur edhe në finale të konkurrencës: Juventusi në “UEFA Cup” (1976-1977); në Kupën e Kupave (1983-1984), si dhe në Ligën e Kampionëve (1996-1997, 1997-1998 dhe 2002-2003). Manchester United ka arritur finalen e Ligës së Kampionëve (1998-1999).

– Juventusi është ekipi, që Manchester United e ka hasur disa herë (12 në total) në garat europiane (5 fitore, 2 barazime, 5 humbje).

– Manchester United e mbajti portën të pastër në të dyja ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve kundër bardhezinjve. Në dy rastet e mëparshme, në të cilat “Djajtë e Kuq” nuk pësuan gol në tri ndeshjet e para, ata pastaj pushtuan finalen (në sezonet 2008-2009 dhe 2010-2011).

– Juventusi i ka fituar dy ndeshjet e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve (faza në grupe), duke shënuar pesë gola, pa pësuar asnjë. Më parë, tri herë bardhezinjtë i kanë fituar tri ndeshjet e para në këtë kompeticion: në sezonet 1995-1996, 2003-2004 dhe 2004-2005.

– Juventusi ka humbur vetëm 2 nga 23 ndeshjet e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve (14 fitore, 7 barazime, 2 humbje). Të dyja humbjet i ka kundër skuadrave spanjolle.

– Paul Pogba ka marrë pjesë në të tre golat (dy gola dhe një asist) e shënuar nga Manchester United në këtë Ligë Kampionësh. Kjo do të jetë ndeshja e parë kundër ish-ekipit të tij të mëparshëm.

– Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë dy asiste në gjashtë ndeshje Champions-i, të luajtura kundër ish-skuadrës së tij.

– Vetëm lojtari i Ajax, Hakim Ziyech, ka më shumë goditje drejt portës (12), pa shënuar dot gol në këtë Ligë Kampionësh, sesa sulmuesi i Manchester United, Marcus Rashford (9 goditje).

– Në sfidën kundër Young Boys, Paulo Dybala u bë lojtari i katërt i Juventusit, që shënon një “hat trick” në Ligën e Kampionëve (si Inzaghi, Vidal dhe Del Piero). Në mesin e ekipeve italiane, vetëm Milani ka më shumë “hat trick” (5)./telesport

BalkanWeb

Etiketa: