Parlamenti shqiptar po përballet në këtë legjislaturë me një akt të paprecendetë në historinë e pluralizimit, atë të djegies së mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës.

Por edhe pse në një situatë të panjohur, maxhoranca aktuale duket se nuk po humbet kohë, dhe gjithashtu nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas.  Edhe pse afati kushtetues i parashikuar në Kodin Zgjedhor, i njeh Kuvendit një hapësirë prej 30 ditësh nga vakanca e krijuar në Kuvend për të njoftuar KQZ, ky institucion duket se nuk ka humbur kohë, duke i konsideruar menjehërë të dorëhequrit ish-deputetë.

Ndërsa opozita e bashkuar njoftoi djegien e mandateve parlamentare më 18 shkurt, dhe për t’i dorëzuar iu deshën tri ditë, në protestën e 21 shkurtit, Kuvendi i Shqipërisë, nisi menjëherë procesin për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr. Vetëm 24 orë pas aktit ekstrem të opozitës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancat e krijuara, duke vënë shumë shpejt në lëvizje mekanizmin ligjor.

Aspak kohë për të humbur duket se nuk pati edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Përfaqesuesit e maxhorancës në KQZ nuk kanë nxjerrë pretekse, apo burokraci ligjore për të zgjatur kohën, pas marrjes në dorëzim të kërkesave për dorëheqje nga mandati i deputetëve të opozitës,  iu drejtuan me një shkresë Kuvendit ku i kërkoheshin më tepër shpjegime për dokumentet e dërguara. Edhe në këtë rast Kuvendi tregoi gatishmëri të plotë duke e kthyer përgjigje brenda pak orësh në po të njëjtën ditë.

Ndërkohë ditën e sotme, përmes zëdhënëses KQZ kërkoi plotësimin e vakancave me kandidatët e listës. Ligji thekson se mandatet e dorëzuara nga deputetët plotësohen me kandidatët pasues të listës shumëemërore, ndërsa këta të fundit kanë 10 ditë afat për të dorëzuar këtë formular.

Djegia e mandateve parlamentare nga deputetë të opozitës, pasoi me thirrje të njëpasnjëshme të faktorit ndërkombëtar i cili apeloi për dilog mes palëve. Por ndërsa opozita duket e vendosur në qëndrimin e saj, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë hap pas, po aq e vendosur duket edhe maxhoranca aktuale, e faktuar kjo edhe në porositë që kryeministri iu ka drejtuar të vetëve. “Në respekt” të  vendimit të opozitës së bashkuar, Rama ftoi socialistët të injorojnë ish-deputetët e dorëhequr, duke shmangur debatet televizive me ta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb