*Ndryshe nga rasti i Valentina Leskajt, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës për deputetin e PS
*Suli është akuzuar nga PD se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHEE

TIRANE-Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot mandatin e deputetit Rakip Suli për papajtueshmëri, bazuar në kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë pas akuzave të Partisë Demokratike për deputetin socialist, i cili i vënë nën presion, u kërkoi vetë kolegëve të pranonin kërkesën e opozitës.

Në mes të muajit prill, Parlamenti dërgoi me shumicë votash në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e vlefshmërisë së mandateve të Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt. Votimi erdhi pas kërkesës së opozitës, e cila kishte kushtëzuar marrëdhëniet me Parlamentin dhe reformën në drejtësi për këtë çështje. Por votimi në Parlament shfaqi një mendim jo të unifikuar brenda mazhorancës, ku u shënuan vota kundër dhe abstenim ndaj votimit. Kështu, Valentina Leskaj u dërgua në Gjykatën Kushtetuese me 87 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim, teksa shumë deputetë të majtë nuk morën pjesë në votim. Më i mbrojtur qe deputeti Rakip Suli, i cili mori vetëm 81 vota pro, 11 kundër dhe 9 abstenime. Ndarja e votave është bërë jo vetëm mes Partisë Socialiste, por edhe brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetë Suli kishte kërkuar që të dërgohet në Kushtetuese. “U kërkoj deputetëve mazhorancës që të çojnë mandatin tim në Kushtetuese”, tha Suli në atë kohë.

Në ndryshim nga rasti i Valentina Leskajt, kur nuk u pranua kërkesa e Kuvendit, e kundërta ka ndodhur me rastin e Sulit, pasi Gjykata Kushtetuese ka regjistruar kërkesën për deputetin socialist. Pak kohë më parë ishte deputetit tjetër i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, i cili e humbi mandatin për shkak të përfitimit të parave nga fondet publike. Deputeti i Qarkut të Dibrës, Rakip Suli, është akuzuar vazhdimisht nga Partia Demokratike se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHEE-ja, pasi zyrat në pronësi të tij ishin dhënë me qira për operatorin. Për këtë arsye, opozita vendosi t’i kërkojë Kuvendit përfundimin e mandatit të Rakip Sulit. Sipas opozitës, deputeti i Qarkut të Dibrës ka përfituar nga kontratat e paligjshme të qirasë 180 milionë lekë dhe për këtë arsye mandati i tij është cilësuar i papajtueshëm.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: