Kryeministri Edi Rama, ndërsa është shprehur i bindur se PS do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tha se mandati i katërt do të jetë mandati i progresit të pashmangshëm.

Ai u shpreh se Kuvendit të ri, nuk do i mungojë përvoja e deputetëve me ndërgjegje dhe përgjegjshmëri, por do t’i duhen dijet e aftësitë e të rinjve.

“Mandati ynë i katërt do të jetë mandati i pathyeshmërisë së sigurt. Mandati shumë i ngjeshur për nga sfidat dhe punët, për të mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Kuvendit të ri nuk do t’i mjaftojë përvoja e deputetëve me vjetërsi dhe përgjegjshmëri. Me të rinj dhe me të vjetër s’kam para sysh moshën, por njerëz të rinj, figura të reja publike, me vullnet, pavarësisht gjinisë dhe vendndodhjes dhe mbiemrit dhe pasurisë. Kjo vlen për të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë e çdo krahine, në sektorin publik apo privat, me banim në Shqipëri dhe jashtë saj. Më vjen mirë që kur bëhet fjalë për shqiptarët jashtë vendit, për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë, për të fituar në 12 qarqe. I përshëndes delegatët e ardhur nga jashtë. Ata nga Greqia, besnikërisht janë këtu të pranishëm në çdo kongres. Sot ndihem më mirë para jush dhe përcjell mirënjohjen time ndaj shqiptarëve në Greqi dhe Itali që më dhuruan një energji të jashtëzakonshme, që bën të duket çdo mal i kapërcyeshëm”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb