Deputetja Dhurata Çupi, po drejton mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, ku po shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka.

Në fjalën e saj hyrëse Çupi bëri një përmbledhje të  vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ajo ka shtuar se drafti i cili do të diskutohet, përfshin rekomandimet se:

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.

Fjala e plotë: 

Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar kolegë,

Mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit e deklaroj të hapur përsa kohë kuorumi i nevojshëm është plotësuar.

Kryetarja e Kuvendit znj. Elisa Spiropali përmes urdhërit nr. 54, datë 08.08.2024, ka urdhëruar thirrjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit, në datë 27.08.2024, ora 11:00, me rend dite: “Shqyrtimin e vendimit nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese”. Secili është njohur me kopjen e urdhrit të Kryetares së Kuvendit që na është dërguar nga administrata në 9 Gusht, dhe gjithashtu me materialet e mbledhjes që ju janë dërguar përmes e-mail nga administrata e Kuvendit më datë 20 Gusht, pra një javë përpara kësaj mbledhje, si më poshtë:
– Vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese;
– Një përmbledhje të vendimit të përgatitur prej meje në kuadër të përgatitjes sa më efektive të mbledhjes;
– Dhe Draft Raportin e propozuar po prej meje që do të diskutojmë sot, në kuadër të shqyrtimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ku qartësisht në përfundim të tij duhet të miratojmë një Raport. Vendimi nr. 55/2024 ka zgjidhur një konflikt kompetencash midis subjekteve kushtetuese 1/10 e deputetëve (kërkues të mocionit), si dhe Kuvendit të Shqipërisë. Për pasojë, në rastin konkret Këshilli në përfundim të tij duhet të paraqesë vetëm Raportin për Kryetarin e Kuvendit mbi efektet e këtij vendimi ndaj Kuvndit të Shqipërisë, duke qenë se ai nuk përcakton detyrime për plotësime në legjislacion.

Vendim nr. 55/2024 i Gjykatës Kushtetuese është publikua në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 7 Gusht 2024. Për pasojë, sipas pikës 2, të nenit 132 të Kushtetutës vendimi nr. 55/2024 i Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi më datë 7 Gusht 2024.

Këshilli i Legjislacionit e merr në shqyrtim këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese brenda afateve të caktuara nga Rregullorja e Kuvendit, pra brenda 30 ditëve nga publikimi i vendimit në Fletoren Zyrtare.

Dhe meqënëse jemi këtu, në cilësinë time si Kryetare në detyrë e këtij Këshilli, i kërkoj administratës që të informojë Kryetaren e Kuvendit se ka detyrimin për të thirrur dhe caktuar rendin e ditës së këtij Këshilli edhe për 3 vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese.

Konkretisht:
– Në Fletoren Zyrtare nr. 136, datë 05.08.2024, është publikuar vendimi nr. 52, datë 27.06.2024 i Gjykatës Kushtetuese, që ka të bëjë me ndryshimet antikushtetuese në ligjin për tatimin mbi fitimin për profesionet e lira;
– Në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 07.08.2024, është publikuar vendimi nr. 48, datë 19.06.2024 i Gjykatës Kushtetuese, që ka të bëjë me ndryshimet antikushtetuese në Rregulloren e Kuvendit;
– Në Fletoren Zyrtare nr. 145, datë 13.08.2024, është publikuar vendimi nr. 54, datë 09.07.2024 i Gjykatës Kushtetuese, që ka të bëjë me ndryshimet antikushtetuese në ligjin për Komisionet hetimore.

Në të tre këto vendimi kërkesa në Gjykatë Kushtetuese është paraqitur nga jo më pak se 1/5 e deputetëve, dhe për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “d”, pika 1, e nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit duhet ti përcjell Këshillit të Legjislacionit për vlerësim këto 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Administrata të marrë masat për të informuar Kryetaren e Kuvendit me një Memo, për detyrimin për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit brenda datës 5 Shtator 2024, për të 3 këto vendime.

Për tju rikthyer tashmë rendit të ditës, me vendimin nr. 55/2024, Gjykata Kushtetuese ka vendosur:
“1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”.

Më lejoni të nderuar kolegë që përpara se tju kalojë fjalën për vlerësimet dhe diskutimet tuaja, tju paraqes një permbledhje të shkurtër të vendimit nr. 55/2024, ku Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dhe arsyetuar sa më poshtë:

1. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 1/2023 ka shprehur qartë detyrimin e Kuvendit që me vendim të dërgojë kërkesën për papajtueshmërinë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka sipas nenit 70, pika 4, të Kushtetutës para kësaj Gjykate, si organi i vetëm që do të shqyrtojë në themel faktet, për të përcaktuar nëse ato duhet të klasifikohen në parashikimet e pikës 2 ose pikës 3 të nenit 70, të Kushtetutës.

2. Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132 i Kushtetutës. Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës.

3. Çështja e vlerësimit të papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes, e cila nëpërmjet bashkëshortit mund të ketë ushtruar veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe të ketë fituar pasuri të këtyre, referuar fakteve, nuk i takon vlerësimit të Kuvendit, por vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ato (faktet) kërkojnë shqyrtimin në themel, në mënyrë që të mund të përcaktohet nëse duhet të klasifikohen në parashikimet e nenit 70, pika 2 ose nenit 70, pika 3, të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Kuvendi duhej të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.

4. Procedura e vendimmarrjes së Kuvendit, që është kundërshtuar në këtë gjykim dhe votimi i deputetëve në atë rast, nuk mund të përligjet me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës nuk është një çështje politike, rast në të cilin Kuvendi ka hapësirë vlerësimi dhe deputeti gëzon lirinë e zgjedhjes së qëndrimit përmes votimit sipas mandatit të lirë. Parimi kushtetues i mandatit të lirë të një deputeti nuk mund të kuptohet si liri absolute e tij, që nuk kufizohet nga Kushtetuta dhe ligjet, për të vepruar në një mënyrë të tillë që Kuvendi të mos jetë në gjendje të zbatojë kërkesat që burojnë nga Kushtetuta dhe të miratojë vendime të papajtueshme me të. Kjo liri në votim e deputetit u nënshtrohet kufizimeve që rrjedhin nga parimet e supremacisë së Kushtetutës, të shtetit të së drejtës dhe të kushtetutshmërisë, element i të cilave është edhe detyrueshmëria e zbatimit të vendimeve të Gjykatës. Në këtë kuptim, parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij.

5. Kuvendi, si interpretuesi i parë i normës kushtetuese, mund të ndërhyjë deri atje dhe vetëm për ato çështje që Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, si organi i vetëm që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës sipas nenit 132 të saj. Nëse kjo ka ndodhur, Kuvendi nuk mund të ushtrojë më rolin e interpretuesit të parë të normës kushtetuese. Kuvendi në rastin konkret shfaqet në pozitat e çdo organi/institucioni që është i detyruar të veprojë në përputhje me përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato.

6. Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare, votim në të cilin gjente zbatim parimi i mandatit jodetyrues. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare, por një procedurë për ekzekutimin e një detyrimi konkret të lindur prej tij, sikurse është ai për dërgimin asaj të çështjes së papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të ngritur mbi mocionin e 1/10-ës së deputetëve.

7. Në kontekst të rrethanave të rastit dhe në raport me përcaktimet e nenit 66/a, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje me afatin maksimal të paraqitjes asaj të kërkesës nga Kuvendi, konsideron të theksojë se shqyrtimi i çështjes nga Kuvendi duhet të bëhet me përparësi, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj……. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Për këtë arsye të nderuar kolegë ne kemi detyrimin që të veprojmë me përparaësi dhe në kuptim të neneve 124 dhe 132 të Kushtetutës, të respektojmë dhe kërkojmë të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast nuk ka shumë për të vlerësuar mendoj, sepse mënyra e vetme e zbatimit të tij, sipas arsyetimit dhe dispozitivit të vendimit nr. 55/2024 është që përmes një vendimmarrje të detyrueshme nga Kuvendi të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim mocioni i 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka.

Ky është edhe thelbi i draft raportit që ju kam paraqitur për vlerësim dhe shqyrtim, në përputhje me nenin 132 të Kushtetutës, nenin 87 të Rregullores së Kuvendit dhe urdhrin nr. 54, datë 08.08.2024 të Kryetares së Kuvendit, ku kam propozuar që të gjithë sëbashku të rekomandojmë që:

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.

Faleminderit, tashmë hap diskutimet për vendimin dhe draft raportin. Kush e kërkon fjalën?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb