Konstitucionalisti Bledar Dervishaj në rubrikën “Opinion” në News24 duke analizuar vendimin e Kuvendit për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, tha se Kushtetuesja me të dy vendet e saj e futi çështjen në një rreth vicioz për zgjidhje.

Dervishaj tha se gabimi i Gjykatës Kushtetuese ishte kur legjitimoi kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe për kërkesën e paraqitur nga 1/5 e deputetëve tha se ne nuk kemi çështje këtu, kërkoi vendim nga Parlamenti, duke zbehur rolin e pakicave.

Në këtë kuadër, Dervishaj tha se kemi një vendim “sui generis” nga Gjykata Kushtetuese, ndoshta edhe për shkak se nuk mbante dot mbi supe gjykimin në themel të çështjes së mandatit të deputetes Xhaçka.

Ai tha se në diskursin politik çështja u bë tërkuzë, Kuvendi më pas tha se do t’i drejtohej Komisionit të Venecias, Kushtetuesja doli me një vendim të 3-të që i kërkonte Kuvendit një vendim, Kuvendi vendosi me një votë abstenuese që të mos e dërgojë në Kushtetuese.

Dervishaj tha se Kushtetuesja duhej ta kishte mbyllur këtë çështje që në janar 2023. “Kjo lëvizja e Kuvendit për t’iu drejtuar Venecias më shumë është hipokrizi, pasi Venecias mund t’i drejtohej dhe drejtohet Kushtetuesja”, tha Dervishaj.

Ai tha se e vërteta dhe e drejta lidhur me vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese janë te mendimet e pakicave.

“Mandati i Xhaçkës pretendohej që ishte anti-Kushtetues që në qershor 2022, ndërkohë me procedurat që u ndoqën dhe po ndiqen, mund të zgjasë deri në fund të 2024 apo janarit 2025, por mund ta lenë edhe deri dy muaj para zgjedhjeve”, tha Dervishaj.

Ai tha se në vendimin e Kushtetueses të muajit korrik, Gjykata kërkon nga Kuvendi që të dërgojë kërkesën, atëherë pyetja që lind është “a do të ndiqet dikush penalisht, sepse moszbatimi i vendimeve të Gjykatave është vepër penale? Jam kurioz të di si do të veprohet, sepse kemi një vendim të pazbatuar?”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb