Gazetari Basir Çollaku në “Opinion” në News24, ku është debatuar lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka tha se mazhoranca nuk po mbron ligjvënësen socialiste, por Kryeministrin. Çollaku tha se bashkëjetuesi i Olta Xhaçkës u shpall investitor strategjik nga Kryeministri.
“Është një çështje që po hetohet, ka një hetim të thellë, ka një ish-Kryebashkiak të arrestuar”, tha Çollaku. Në këtë kuadër ai u shpreh se mandati i Xhaçkës përfshin edhe Kryeministrin dhe në këto kushte ata po mbrojnë Edi Ramën.
Por deputeti socialist Petro Koçi tha se mandati është individual, jo familjar. Koçi theksoi se asnjë organ drejtësie nuk pengohet të hetojë cilindo pavarësisht se ka mandat deputeti.
Dashnor Sula, deputet i PS-së, u shpreh se mazhoranca nuk ka pse të pengojë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. “Kush janë këta që përfitojnë tendera, shpallen investitorë strategjikë, marrin fonde, dhe në fund thonë pse çfarë ka”, tha Sula. Ai theksoi se nuk humbet mandati nga ndjekja penale, por ne po themi a ka konflikt interesi ose jo në rastin e Xhaçkës.
Koçi tha se Gjykata Kushtetuese e ka gjykuar njëherë këtë çështje. “Përse i duhet Gjykatës, vota e Parlamentit”, tha Koçi, ndërsa Sula iu përgjigj “i duhet procedura, Kuvendi duhet ta çojë formalisht”.