MAQEDONI– Pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov se do t’i ndajë mandatin asaj partie e cila do të arrijë të sigurojë shumicën parlamentare, partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk kanë dhënë hollësi për nismat për mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve.

VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit, që nuk ka arritur të formojë qeverinë, nuk ka dhënë asnjë informacion.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë shkurt tha se po bëhen konsultime, pa saktësuar asgjë.

“Nuk ka nevojë të shqetësohen qytetarët, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë do të punojnë në gjetjen e një zgjidhje që do të sjellë deri në formimin e një qeverie të re, të shpejtë dhe në mënyrë efikase”, ka deklaruar për mediat zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Ai tha se me kushtet e vendosura, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën dhe për këtë do të duhet të mbajë përgjegjësi.

“Ivanov nuk ka të drejtë të diskriminojë politikisht. Ai ia dha mandatin Nikolla Gruevskit pa i kërkuar nënshkrime nga 61 deputetë dhe pa kushte për programin. Kjo nënkupton se nuk ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë nga Zaev. Kjo është shkelje e patolerueshme e Kushtetutës nga Ivanovi”, ka theksuar Shilegov.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që ka numrin më të madh të deputetëve shqiptarë, thotë se deri më tani asnjëra nga dy partitë maqedonase nuk i ka kontaktuar. Megjithëse për këtë parti, thotë Rafiz Haliti zyrtar i lartë i BDI-së, mbetet e rëndësishme platforma shqiptare.

Sipas tij cilado nga dy partitë maqedonase që do të jetë e gatshme të pranojë pikat e platformës së partive shqiptare BDI-ja do t`ia deponojë nënshkrimet.

Sipas tij presidenti Ivanov në mënyrë “joserioze e ka interpretuar kushtetutën përderisa njëherë i ka ndarë Gruevskit mandatin për formimin e qeverisë pa deponuar nënshkrimin e deputetëve të nevojshëm për shumicën parlamentare dhe tani këtë e ka imponuar si kusht”.

Dy partitë e tjera shqiptare janë shprehur më të sakta se janë të gatshme të mbështesin nismën që mund të ndërmarrë lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhje me 49 mandate të fituara, dy mandate më pak se VMRO-DPMNE.

Edhe Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare ka thënë se do të mbështesë iniciativën e Zoran Zaevit për të marrë mandatin, përderisa për t’i dhënë mbështetje qeverisë së tij do të vendoset pasi të jenë shtruar në detaje kërkesat e shqiptarëve dhe realizimi i tyre.

Pas dështimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevskit për të formuar qeverinë së bashku me BDI, gjatë të mërkurës presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov pas konsultimit me krerët e partive politike parlamentare bëri të ditur se ai lider apo subjekt që do t’i mbledhë 61 nënshkrime, atij do t’i japë mandat për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Ivanov veç shumicës parlamentare ka kërkuar që kjo shumicë njëherësh të garantojë integritetin e Maqedonisë. /REL/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb