Nga Kiço BLUSHI
Mund të ndjehesh i turpëruar nëse në një dasmë nuk i hedh lekë, euro ose dollarë çiftit që martohet dhe sazexhinjve sidomos kur luajnë “Napolonin”… Sa më shumë, aq më mirë!

Vetëm kësisoj mund të dëshmosh që je njeri i mirë, bujar, i dashur, i kamur dhe vetëkuptohet, edhe i nderuar për farefisin. Në dasmat e skamnorëve dyshemeja duhet të “pastrohet” disa herë nga paratë që shkelen me këmbë, si gjethe vjeshte, “që të mos pengohet çifti”… Ndërsa në dasmat e zengjinëve, që tani bëhen me regji e skenar (si në një “Beautiful” telenovelash turke…), kanë filluar të funksionojnë zarfet dhe limuzinat, tortat shumëkatëshe dhe dasmorët e harlisur e të pispillosur, të cilët duhet të shërbejnë si figurantë. Në kësi dasmash thirren muzikantë e këngëtarë të njohur, ndaj për ta nuk praktikohet ngjitja me pështymë e kartëmonedhave në ballë.

Një mik i huaj, të cilin e kisha ftuar të njihte e të shihte “me sytë e vet” zakonet dhe traditat tona dasmërore, kur pa këtë “rit”, më tha: “Ju shqiptarët do ta keni shumë të vështirë”…

Prisja që ai të ngazëllehej me folklorin e zakonet tona “autentike”, por kur e pashë të murrëtyer, kureshtjes sime ai iu përgjigj ftohtë, pa gëzim e pa entuziazëm: “Të ardhmen ju do ta keni të vështirë… se ju nuk keni respekt për paranë. Shiko si i hidhni dhe si i shkelni me këmbë”!

Edhe pse ka kaluar mbi një çerek shekulli që jetojmë në kapitalizëm, ne ende nuk kemi krijuar marrëdhënie normale me paranë. As përvoja tragjike e piramidave nuk na shërbeu si pësim. Ne nuk e ndjejmë rrezikun e inflacionit, as rritjen e taksave. Taksat që paguajmë, edhe kur shkojnë në drejtim të paditur, për pedonale, fasada, zyra e makina luksoze të zyrtarëve, për koncerte e tubime politike, madje edhe kur kthehen në inerte, si ndodhi me “Zogun e Zi”, apo me prishjen dhe ndërtimin e disahershëm të sheshit “Skënderbej”, nuk kanë lidhje me ne, me xhepin e mirëqenien tonë.

Taksat i përjetojmë njëlloj si në kohën kur mburreshim se jemi vendi i vetëm në botë pa taksa e tatime… Kriza financiare që shkundi themelet e botës kaloi tek ne si një re vjeshte… Kur qeveria “Meksi” rriti çmimin e bukës 100%, askush nuk pipëtiu. Ky ishte eksperimenti më i dhimbshëm e më domethënës i lidhjes sonë të deformuar me sistemin e taksave e çmimeve. “Mbi këtë popull mund të bësh çfarëdo eksperimenti e të mos kesh frikë se do të ndëshkohesh”! Të gjitha qeveritë e dinë këtë, ndaj sillen me ne, me taksat tona, pa pikë përgjegjësie e pa dhënë kurrë llogari.

Respekti për paranë është respekt për mundin, për djersën, për aftësitë, për veten, për mënyrën e jetesës dhe pse jo, edhe të bashkëjetesës.

Në vend që paratë t’i investojmë, më kollaj e kemi t’i bëjmë “rrush e kumbulla”. E keqja është se këtë mendësi e kanë më të theksuar qeveritarët tanë, të zgjedhurit tanë, administratorët e pasurisë kombëtare, si këtu edhe në Kosovë. Ata flasin për miliona euro si për qindarka. Prona e pasuritë publike atyre u dhimbset më pak se ata që i trashëgojnë nga baballarët e gjyshërit. Kjo sepse për shumicën ndër ta paraja, pasuria, pronat e mirëqenia nuk vijnë e nuk burojnë nga djersa, nga mundi, nga aftësitë, nga puna e prona vetjake, as nga trashëgimia, por nga klientelizmi dhe mercenarizmi partiak, që të shndërron nga një kurrkush varfanjak në një personalitet që firmos për miliona…

Vini re rioshët ministra e ministresha, deputetë e deputetlesha të dy qeverive “Rama” si sillen me fondet publike, si vishen e si karfosen, si komunikojnë me ne, publikun.

Paraja qyl që del nga trafiqet, nga mercenarizmi partiak, nga lidhjet nepotike e postet politike, nga vjedhjet e abuzimet, nga allishverishet dhe matrapazllëqet nuk peshon e nuk ka të njëjtën vlerë me të ardhurat që burojnë nga djersa. Kjo lloj paraje dhuron qejfe qyl, të bën të të hyjë vetja në qejf, të bën të shquar, po nuk të sjell hajër, përkundrazi, ajo zakonisht të kthehet kundër, duke të ndyrë emrin, duke të sjellë, herët a vonë fatkeqësi e tragjedi të padëgjuara e të paparashikuara. Më zi e pëson vendi, shoqëria, pronat publike, perspektiva, besimi e siguria.

Ne jemi dëshmitarë të kësaj rropame kur krerët e lartë, në këto 100 e ca vjet me shtet të mosvarur, pasi na kanë bërë zullume, kanë ikur të gjithë, pa përjashtim, në drejtim të paditur, pa u ndëshkuar.

***

Aktualisht Shqipëria ka në qarkullim markat e makinave më të fundit e më të shtrenjta. Ne nuk krahasohemi jo më me vendet e Lindjes, por as me Italinë. Me vetura jashtë serie, të blindura e të bujshme nuk udhëtojnë vetëm pasunarët e zengjinët e rinj të politikës, që dëshirojnë të tregojnë sipëri e karshillëk, por edhe evlatërit e tyre kokëqethur e injorantë, të pashkollë e të pazanat, të cilët kanë fatin të kenë prindër ose politikanë, ose biznesmenë…

Ka syresh që nanën e babën i lënë të jetojnë në mjerim, më zi se në diktaturë, por për vete harbojnë e rrugëtojnë nëpër Evropë e Tiranë me “Porsh”-e. Këta zotër të hiçit, të vulgaritetit e kotanisë nuk e kanë për gjë të dhunojnë prindërit, kur të gjorët nuk pranojnë të shesin tokën ose shtëpinë, madje edhe gjyshërit mund t’i vrasin, si ka ndodhur, po qe se nuk u japin kursimet e pensionit… Për të kuptuar këtë dukuri shtinjakësh firmato, më të rrezikshëm se parazitët e zorrëve, që e urren punën dhe mburret me vrasjen e kohës, që dehet me seks, drogë e alkool mjafton një shëtitje në lokalet e rrugët e Bllokut.

Më rreziksjellsja e më e dëmshmja, në plan shoqëror, janë ata të rinj, që ndonëse nuk kanë punuar kurrë, që nuk u ka thënë kush “punë e mbarë!”, që nuk kanë libreza pune e që edhe emrin e vet e shkruajnë gabim, përzgjidhen nga kryetarët e partive që të bëhen deputetë, drejtorë, ministra, madje edhe kryeministra. Fatura e vetme që ata duhet të paguajnë është si e si t’i shërbejnë pa kushte kryetarit, jo popullit, aq më pak vendit.

Janë këta që kanë shtënë në dorë jo vetëm tenderat, po pasuritë kombëtare, fondet publike, financat e financimet, vizionet për të ardhmen, drejtimin e vendit, modelin kombëtar të suksesit ose të dështimit.

Historikisht të gjithë krerët e lartë kanë përzgjedhur në ekip e kanë lënë pas vetes pasues mediokër, ca kurrkushë, që nuk e kanë frikë historinë, ndëshkimin, përgjegjësinë, opinionin publik. Mundësisht të jenë edhe më të shëmtuar e me shtat më të shkurtër, me shpresë se kësisoj do të mbijetojnë vetë në histori si misionarë të përjetshëm. Kështu ka vepruar Zogu, Hoxha, Berisha dhe tash edhe Rama, ky kryemjeshtër i modës, i shpotive dhe i performancës mediatike.

Kjo me sa duket është karakteristika themelore e etatizmit tonë. Qeveritë tona, pavarësisht nga ngjyrat politike, pavarësisht kush ka qenë kryeministër, tradicionalisht e kanë qeverisur shoqërinë si një dasmë folklorike, ku paret hidhen në erë mbi sazexhinjtë dhe mbi të martuarit e radhës, ministra e deputetë…

Sipas një sondazhi të ditëve të fundit të kryer në gjashtë shtete të Ballkanit, qytetarët shqiptarë zënë vend të parë për përgjigjet negative, pesimiste, krahasuar edhe me Bosnjën e Kosovën, që kanë më pak të ardhura për frymë se ne. Kështu, qytetarët që nuk e përballojnë dot jetesën, dmth që gjallojnë me minimumin e të ardhurave janë: 39% nuk i paguajnë dot faturat e energjisë e të ujit; 43% nuk kanë mundësi të ngrohen në dimër; 70% kanë një ose më shumë të papunë në familje; 86% janë të bindur se hendeku mes të varfërve e të pasurve po rritet… dhe se, bash për këto arsye të mbiarsyes mbi gjysma e popullsisë kërkon të braktisë vendin.

E si mund të ishte ndryshe?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: