Bylisi ka dhuruar një tjetër performancë të mirë, kësaj radhe përballë Flamurtarit të 1001 halleve, teksa në “Adush Muça” ka triumfuar me rezultatin 5-0. Një “manita” kjo e skuadrës së Dovedanit që e ngjit në kuotën e 11 pikëve në krye të renditjes së bashku me Teutën, por në pritje të sfidës Tirana-Partizani.

Mallakstriotët kanë siguruar çdo gjë që në pjesën e parë. Qardaku në minutën e 30-të, Goxhaj në të 33-të dhe Ntepe në të 40-ën, kanë bërë që të kapitullojë ekipi i Sadedinit. Në pjesën e dytë është shëtitje për të zotët e shtëpisë, që realizojnë dhe dy herë të tjera. Guido realizon pokerin ballshiot në të 72-ën, ndërsa 5 minuta më pas Ntepe shënon golin e dytë personal dhe i vë kapak takimit.

Ndërkohë, në sfidën e luajtur në Gjirokastër, goli i Donald Rapos në minutën e 10-të, nuk i ka mjaftuar bluzinjve për të thyer Laçin e Starovës, kjo sepse një penallti e akorduar në minutën e 94-ët për kurbinasit, ka sjellë golin e barazimit për skuadrën e Starovës, një penallti që është kontestuar shumë nga vendësit. Ky barazim bën që Laçi të ngjitet në kuotën e 6 pikëve dhe Luftëtari të shkojë në 5 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb