Plot 15 mijë ish-pronarë do të përfitojnë nga kompensimi i pronave. Është ky vendimi më i fundit i Qeverisë në prag të ndërrimit të viteve. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë një konference me gazetarët dha detaje duke theksuar se janë 30 mln euro të disbursuara nga Qeveria dhe do të kalojnë në llogaritë e ish-pronarëve deri në datën 2 janar 2025.

“Sot, starton ky proces i cili do të finalizohet deri të enjten dhe secili nga 15 mijë individët do të ketë masën e kompensimit në vlerë sipas asaj që është përllogaritur nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në këto 5200 dosje që përfitojnë këtë masë kompensimi është ndjekur në rend kronologjik nga viti 2010-2024. Jo të gjithë subjektet ndër vite që kanë aplikuar dhe kanë marrë masën 70% përfitojnë nga ky kompensim, se një pjesë e dosjeve vërtetë kanë marrë 70%, por kanë pasur mangësi në dokumentacion, mos depozitimi në kohë i dëshmive të trashëgimisë. Pjesa tjetër me rifreskimin e dokumentacionit, dhe ata do të jenë përfitues të kësaj mase kompensimi. Pasqyrë të shkurtër të punës dhe veprimtarisë. Ish-pronarë që kompensohen në vlerë dhe sipërfaqe prone, për shkak se prona është zënë nga ndërtime publike dhe ish pronarë që prona e tyre është zënë për shkak të ndërtimeve informale”, tha Manja.

Njoftim për shpërndarjen e fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 30 . 12. 2024, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e fundit të kompensimit në të holla në një total prej 30% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërnda

rjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Për 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesat, e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar.

Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesa, është në vlerën: 3 095 139 163,84 (tre miliard e nëntëdhjetë e pesë milion e njëqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tre presje tetëdhjetë e katër) lekë.

Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb