TIRANË

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka sulmuar ambasadorin e BE-së Luigi Soreca pas qëndrimit të tij për çështjen e Teatrit Kombëtar. Në një status në “Facebook”, Manjani shkruan se ashtu siç thotë Soreca çështja e Teatrit i takon shoqërisë shqiptare por i kujton se tek ‘çështje të tjera totalisht tonat ku përfshihet nuk është se e ndriti’.

Ai thotë se nuk ka fjalë për të thënë për shpikjen anti-shtet, andi-BE e anti reformë të Gjykatës së Durrësit, për shpikjen e mbushjes së Gjykatës së Lartë, për zgjedhjet pa datë e mbushjen e kutive.

Madje Manjani e akuzon se dhe kur flet, flet si kryeministri Rama. Më tej ai e cilëson një ‘rrogëtar të mirëpaguar’ dhe thotë se për sa kohë që ata merren me punët tona, pa dyshim që do merremi edhe me ta.

POSTIMI I MANJANIT
Soreca thotë se: “Çështja e Teatrit nuk na takon neve por shoqërisë Shqiptare”…
Në fakt ashtu është. Kjo është një çështje e jona dhe duhet ta zgjidhim ne.
Por puna është se tek ato çështjet e tjera, të cilat janë tonat gjithashtu, ku Soreca përzihet dhe shumë madje, nuk është se e ndriti.
Soreca bie fjala, nuk ka asnjë fjalë për të thënë për shpikjen juridike anti-shtet, anti-BE e anti reformë të gjykatës së Durrësit, ku dy gjykatës u investuan për të njëjtën çështje me urdhër politik!!!
Dhe kur e bënë, tani që Reformën në Drejtësi Soreca na e ngre në qiell!!!
Po për këtë super shpikjen haptazi antikushtetuese të mbushjes së Gjykatës së Lartë, pa akt emërimi, pa konkurs, pa akt vlerësimi dhe pa vetting, ka ndonjë fjalë për të thënë Soreca?!
Ku në BE ose edhe më gjerë e ka parë këtë pisllëk antikushtetues, që ta meritojë Shqipëria?!
Soreca nuk ka asnjë fjalë për të thënë për zgjedhjet pa datë e pa proces të rregullt.
Nuk ka asnjë fjalë për të thënë për mbushjen spektakolare të kutive, megjithëse partia shtet nuk kishte konkurrencë.
Nuk pretendoj që Soreca të denoncojë mungesën e Parlamentit Pluralist dhe për instalimin e partisë shtet në mes të Europës nga një vend kandidat. Por dy fjalë për rrëmbimin me dhunë të pushtetit lokal pa zgjedhje, Soreca e ka detyrë t’i thotë!!!
E kështu me radhë, për zbatimin e ligjit, për nxjerrjen nga fuqia të Kushtetutës, për trafikun e drogës, për kriminalizimin e qeverisjes së vendit.
I takon t’i thotë dy fjalë sepse përfaqëson BE-në, në një vend kandidat, i cili ka një marrëveshje zyrtare për Stabilizim dhe Asocim.
Por aty dy fjalë Soreca i thotë si Edi Rama. Ndërsa kur nuk janë të mira për Edi Ramën thotë se janë çështje të brendshme, që i takojnë shoqërisë, partive, të gjithëve.
Vetëm fajtori nuk përmendet! Ai nuk ka faj asnjëherë. Me vendim ndërkombëtar madje! Efffffff.
???
Gjithmonë i them vetes “boll me këta rrogëtarë të mirëpaguar”, por edhe ata nuk rrinë në punën e tyre!!!
Për sa kohë që ata merren me punët tona, pa dyshim që do merremi edhe me ta. Pa asnjë kompleks! Ata nuk janë as të dërguarit e perëndisë në tokë e as dishepujt e të dërguarit të mëparshëm. Janë njerëz si ne…

Manjanifb
Manjanifb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb