TIRANË

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani denoncon dhunën e policisë dhe strukturave të tjera shtetërore në protestën e sotme. Në një status në “Facebook”, Manjani shkruan se protesta ishte e dhunshme, pasi policia kishte humbur çdo komunikim njerëzor, vendoste gjoba pa shkak ndaj shoferëve, roje private kyçnin bizneset, tela me gjemba në institucione, blinda të parkuar buzë rrugëve dhe në fund bllokimin e valëve të telefonisë, pronë publike.

Ish-ministri pyet pse nuk kanë reaguar ambasadat për këtë dhunë.

STATUSI I MANJANIT

Sa për saktësim. Protesta e sotme ishte e DHUNSHME! Policë të acaruar që kishin humbur çdo komunikim njerëzor ishin gjithandej. Roje private te sigurisë kyçnin dyert e bizneseve e bankave se kishte urdhëruar policia.

Njoftime mediatike e statuse gazetarësh me porosi nga policia për fuqinë e madhe të lëndëve helmuese që zotëronte policia, e gatshme për t’i hedhur njerëzve. Bllokim rrugësh kombëtare dhe gjoba pa shkak ndaj shoferëve të mjeteve të transportit masiv drejt Tiranës.

Tela me gjemba e gardhe të sajuara në parlament e kryeministri. Blinda policie të parkuara buzë rrugëve kryesore rreth Bulevardit. Ushtarë të gardës me maska nëpër tarraca.

Dhe bllokimi i valëve të telefonisë, pronë publike kjo, me urdhër privat! E për çfarë gjithë kjo dhunë?! Se dorëzoi Opozita mandatet! E gjithë kjo dhunë nuk denoncohet nga asnjë ambasadë…
As dëmtimi i pasurisë publike (valët e komunikimit) nuk denoncohet…Po nuk u denoncua kjo lloj dhune, kur kërcet pushka është vonë. S’ka më kuptim denoncimi…

Manjani Fb
Manjani Fb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb