Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është shprehur se votimi në 30 shtator nuk është një votim i thjeshtë, por sipas tij, në atë datë votohet ardhmëria e Maqedonisë.

Ahmeti thotë se në referendum do të vendoshet nëse vendi do të ketë apo jo shtet të qëndrueshëm me zhvillim dhe përparim.

“Ne na ngelet për detyrë që të mobilizohemi të gjithë dhe suksesi të mos mungojë. Ne kërkojmë NATO, ne kërkojmë Bashkimin Evropian. Të kishim ngelë në duart të Rusisë ne do të ishim përtej Adriatikut. Prandaj vëllezër e motra ne as nuk do ishim në tokat tona, andaj dhe duam anëtarësim në aleancën politiko ushtarake të jemi anëtarë të denjë dhe të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian se ashtu e zhvillojmë ekonominë ashtu do e parandalojmë edhe shpërnguljen e njerëzve që kanë shkuar për një jetë më të mirë dhe kështu krijojmë kushte t’i kthejmë. Të mos hezitojmë se të mirat do vinë, nga ne pritet vullnet i fortë dhe i mirë të punojmë pasi vitin e ardhshëm do të anëtarësohemi në NATO dhe ju sigurojë se ne do të jemi në këtë aleancë. Me 30 shtator votohet për Maqedoninë, për të ardhmen e këtij vendi”, u shpreh kryetari i BDI-së.

Para banorëve të vendbanimeve të Shuto Orizares, Butelit dhe Cucer Sandev, Ali Ahmeti ishte së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ish kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhitin, deputetin Artan Grubin dhe Ejup Alimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb