MAQEDONI- Kreu i BDI, Ali Ahmeti nuk do të ketë më mbështetje nga krahu i tij i djathtë i dikurshëm në luftën e vitit 2001, i cili tashmë do të jetë rivali i tij kryesor në politikë.

Gjenerali dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Gëzim Ostreni, do të jetë kryetar i partisë “Uniteti”, që edhe zyrtarisht ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve dhe regjistrimin në gjyq, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi.

Ky subjekt është edhe formalizim i ndarjes së BDI-së që kësaj partie i ndodh për herë të parë që nga themelimi. Përveç Gëzim Ostrenit, në këtë subjekt politik pritet të jenë edhe ish-ushtarë, ish-komandantë dhe zyrtarë e deputetë aktualë të BDI-së të cilët janë përfolur shumë më parë në opinion për një largim të mundshëm nga BDI.

Zulfi Adili, ish-komandant “Qufa”, aktualisht deputet në Kuvendin e Maqedonisë edhe zyrtarisht ka konfirmuar formimin e partisë “Uniteti” për disa media në Maqedoni. Nënshkrimin gjatë aktit të themelimit të partisë në Tetovë e kanë dhënë intelektualë të shoqatave të pavarura dhe aktivistë civilë nga Struga, Dibra, Kërçova dhe Shkupi.

“Uniteti” u tha se në maje të synimeve të saj do ta ketë federalizmin e Maqedonisë, ndarjen e barabartë të buxhetit si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët. Uniteti – u tha më tej se do të synojë edhe mbrojtjen e historisë shqiptare, traditave, gjuhës shqipe, të drejtave ekonomike-sociale të shqiptarëve në gjithë Maqedoninë.

Përveç Zulfi Adilit më herët është thënë se edhe Hazbi Lika, Rafiz Aliti dhe kryetari i Kërçovës do të jenë pjesë e kësaj partie, por këta emra pritet të qartësohen gjatë ditëve në vazhdim.

Ndërkohë po sot në mesditë policia, ka arrestuar nipin dhe ish-shefin e kabinetit të ish-drejtorit të Postës së Maqedonisë, aktualisht deputet i BDI-së, Rafiz Aliti. Mediat në Maqedoni kanë ngritur dyshime se arrestimi mund të ketë qëllime hakmarrëse, transmeton Koha.net.

Përplasjet në BDI kanë filluar vite më parë ndërsa së fundmi në Kumanovë kulmuan edhe me vrasjen e ish-komandant “Shqiponjës”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb