SHKUP-Ka nisur në Shkup protesta e opozitës maqedonase për largimin e qeverisjes aktuale të kryeministrit Nikolla Gruevski. Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase dhe shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme marrin pjesë në këtë protestë.

Më herët, drejtues lokalë të opozitës kanë pohuar se kanë probleme dhe pengesa në transportimin e protestuesve drejt Shkupit. Protesta do të organizohet para Qeverisë, ndërsa lideri i opozitës, Zoran Zaev, ka theksuar se nuk do tërhiqen nga protestat dhe se do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski, raporton agjencia INA.

Forca të mëdha policore kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërsa edhe opozita maqedonase ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e protestës. Në protestën e opozitës marrin pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni, ish-ambasadorë të vendeve europerëndimore, eurodeputetë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët përkrahin përpjekjet e opozitës për rikthimin e demokracisë dhe besimin tek institucionet, pas aferës së përgjimeve e cila nxjerr në sipërfaqe kontrollin e fuqishëm të shtetit nga ana e klikës aktuale shtetërore.


Ora 17:00-Një minutë heshtje për viktimat e Kumanovës kërkoi para protestuesve lideri i opozites Zoran Zaev. “Shikoje këtë protestë. Rrugët janë mbushur me qytetarë kundër teje”- ju drejtua Zaev- Gruevskit duke i kërkuar të japë dorëheqjen.

“Zgjidhja e kësaj krize është Nikolla Gruevski i cili duhet të japë dorëheqjen tani.”- deklaroi Zaev. Ai kerkoi nje pastrim të listave zgjedhore dhe dorëheqjen e Këshillit të Radio-Televizionit të Maqedonisë. “ Erdhëm këtu dhe nuk ikim deri sa ti kthejmë dinjitetin dhe demokracinë vendit, kjo protestë ka nisur në orën 14:00 dhe do përfundojë vetëm kur Gruevski të ketë dhënë dorëheqjen dhe qeveria të ketë dhënë dorëheqjen. Të ndihmojmë me ndërhyrje direkte. Jemi mbledhur këtu për lirinë e Maqedonisë. Jemi mbledhur që Gruevski të japë dorëheqjen. Ndërkombëtarët të ndërhyjnë, të na ndihmojnë për të bërë këtë kthesë të madhe në Maqedoni ku nuk do ketë vend për ata që e uzurpuan.”- deklaroi Zaev.

“Kjo është një protestë kundër qeverisë, duhet ta rrëzojmë qeverinë. Në protestë shihet numri i madh i atyrë që i janë bashkuar protestës. Rrugët i ke plot me qytetarë kundër teje. Do të ngujohemi
këtu, deri sa Gruevski të dorëzohet”,­tha Zaev. Sipas tij, Gruevski ka bërë pazare të fshehta në kurriz të Maqedonisë.

Ora 16:20-Sipas mediave maqedonase dhe kosovare, zëdhënësi i partisë opozitare LSDM, Patar Shillegov, ka deklaruar se në protestë marrin pjesë mbi 100 mijë protestues. “Dorëheqja nuk është larg dhe populli do të qëndrojë këtu”. Mësohet se përfaqësuesit e opozitës janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në protestë, ndërsa pjesë e saj janë bërë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Maqedoni.

Ora 15:25-Protestuesit janë elektrizuar kur kanë parë se protestës ju bashkua edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. “Protesta do vazhdojë deri në rrëzimin e Nikola Gruevskit.”- deklaroi Zaev para protestuesve.

Ora 15:00 Një studente shqiptare mbajti fjalim në protestën e sotme në Shkup ka thënë se më kurrë qytetarët e Maqedonisë nuk do të votojnë për një qeveri që vret qytetarët e saj. ”Kurrë më Qeveri vrastare“, ka thënë ajo, duke marrë brohoritjet e të pranishmëve. Në fund të fjalës ajo përshëndeti në shqip, maqedonisht dhe turqisht për të treguar se studentët dhe të rinjtë duan një shtet multietnik në paqe dhe harmoni.

Ora 14:50- Drejtor i Agjencisë së lajmeve “INA”, Naser Pajaziti, flet per News24. Pajaziti shprehet se në protestë marrin pjesë mijëra qytetarë të etnive të ndryshme gjithashtu edhe diplomatë të shumë. Sipas tij ky është një sinjal i fuqishëm që Gruevski të largohet.

“Mozaik ndëretnik në protestë. Marrin pjesë dhe diplomatë në Maqedoni. Mungonte një frymë uniteti në Maqedoni. Ky është një sinjal i fuqishëm, Gruevski të largohet.

Protesta do vijojë deri në largimin e Gruevskit. Qeveria po imponon skenar krahinash.

Nuk mund të zgjasë më kjo agoni. Gruevski duhet të dorëhiqet”, tha Pajaziti.

EUROPARLAMENTARI RICARD HOWIT I ËSHTË BASHKANGJITUR PROTESTËS

Ora 14:40- Siç njofton agjencia e lajmeve Ina, Europarlamentari Ricard Howit është në shoqëri të ish- kryeministrit bullgar, Serger Stanishev. Ky i fundit do ti drejtohet masës me një fjalim, kurse Howit është në cilësinë e monitoruesit të këtij tubimi masovik qytetar, përmes të cilit kërkohet rrëzimi i qeverisë.

Ora 14:30- Reporteri i “Lajmpress.com” dhe shumë të tjerë, ankohen se në vendin e protestës para Qeverisë po edhe më larg, nuk ka rrjet 3G dhe 4G. Sipas tij kjo është masë e qeverisë për të ndaluar gazetarët që të transmetojnë fotot në redaksitë e tyre.

Ora 14:00- Sipas mediave në Maqedoni në protestë do marrin pjesë rreth 300 mijë qytetarë. Protestuesit janë mbledhur para godinës së qeverisë duke mbajtur në dorë parulla “Lamtumirë Gruevski”. Në protestë ka mbërritur edhe ish-kryeministri i Bullgarisë. Gjithashtu në protestë ka mbërritur edhe eurokomisioneri Knut Fleckenstein. Në duart e protestuesve shihen të ngjitur flamur shqiptarë, maqedonas dhe turq por edhe të nacionaliteteve të tjera.

Ora 13:00- Rreth 700 qytetarë janë nisur nga Tetova për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Sipas tyre problemi i vetëm është fakti që policia po i filmon me kamera protestuesit.

Ora 12:31- Autostrada Kumanovë­-Shkup ka trafik automjetesh të qytetarëve që janë nisur për të marrë pjesë në protestën para qeverisë në Maqedoni, raporton “Lajmpress”.

Ora 11:26- Për shkak të protestave mbarë­popullore në Shkup, ambasadorë dhe ish-ambasadorë të huaj do të jenë në radhët e para të protestës, raporton “Indeks”.

Ora 10:48- Sipas mediave maqedonase policia po ndalon autobusët dhe furgonët të cilët prej mëngjesit po transportojnë qytetarë që janë nisur për në Shkup për të marrë pjesë në protestë. Qytetarët që janë nisur nga Dellçeva dhe Kamenica ankohen se policia i ka vendosur disa post blloqe në rrugë dhe po i ndalon për të kryer kontrolle.

Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE, për të hënën ka paralajmëruar një kundër-protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe, siç thuhet, “tentimin e saj për të destabilizuar vendin”.

(a.n/m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb