SHKUP – Partia kryesore e opozitës së majtë maqedonase SDSM depozitoi sot një padi penale kundër kryeministrit, Nikolla Gruevski, për zbulim të sekreteve shtetërore. “Kryeministri ka zbuluar sekretet shtetërore”, deklaroi për shtypin, sekretari i përgjithshëm i SDSM, Oliver Spasovski pa dhënë më shumë detaje përsa i përket fakteve për të cilat është akuzuar Gruevski.

Maqedonia po kalon që prej muajit janar një krizë politike që shpërtheu kur qeveria e Gruevskit akuzoi shefin e opozitës, Zoran Zaev për spiunazh.

Më 31 janar, qeveria depozitoi një padi penale kundër Zaev dhe tre të dyshuarve të tjerë për këtë çështje duke përfshirë dhe një ish-shef të shërbimeve sekrete, të cilët u arrestuan. Opozita reagoi në atë kohë duke akuzuar pushtetin për përgjimin e 20 000 personave, përfshirë këtu politikanë, gazetarë dhe udhëheqës fetarë.

Sot, një organizatë gazetarësh, e afërt me opozitën, i kërkoi kryeministrit, Gruevski, ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska dhe shefit të shërbimeve sekrete, Saso Mijalkov të japin dorëheqjen duke i akuzuar se kanë urdhëruar përgjimin e gazetarëve. Duke reaguar që prej fillimit të krizës në Maqedoni për këto akuza shumë të rënda, Bashkimi Evropian kishte kërkuar një hetim të paanshëm, të pavarur dhe transparent, në respektim të kritereve ndërkombëtare.

Brukseli u shpreh i shqetësuar për shkak të përkeqësimit të dialogut politik në këtë vend ballkanik dhe u bëri thirrje partive politike të heqin dorë nga veprimet që mund të përkeqësojnë më shumë situatën.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb