SHKUP- Grupi i deputetëve i LSDM-së ndërmori sot në parlamentin maqedonas iniciativën për procedurën për konfirmimin e përgjegjësisë së presidentit Gjorge Ivanov, i cili amnistoi dje të gjithë politikanët nën hetim, përfshirë edhe rastet për bisedat e përgjuara.


“Me amnistinë e shpallur për politikanët, Gjorge Ivanov u bë mbrojtës i kriminelëve, shkeli Kushtetutën, ligjet dhe dinjitetin e qytetarëve, çka është barabartë me një grusht shtet. Ai i dha goditje vdekjeprurëse Marrëveshjes së Përzhinos”, tha koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Goran Sugarevski.


Iniciativa është nënshkruar deri tani nga 37 deputetë, ndërsa në deklaratën e dhënë para ndërtesës së parlamentit, Sugarevski u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare që ta përkrahin këtë iniciativë dhe të ndërmarrin hapa për kthimin e rendit kushtetues në Republikën e Maqedonisë.


“Dje, VMRO-DPMNE-ja tha se nuk pajtohej me vendimin e Ivanovit, e nëse është kjo ashtu, atëherë u bëj thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së të vijnë në parlament dhe ta nënshkruajnë propozimin. Në të kundërtën do të konfirmojnë se bëhet fjalë për marrëveshje mes tyre dhe Ivanovit”, tha Sugarevski.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: