MAQEDONI- Me sa duket Shqipëria është bërë shënjestra e meshkujve të vendeve të rajonit për gra. Pas shtetasve serbë, janë burrat maqedonas ata të cilët janë vënë në kërkim të femrave shqiptare. E nëse je beqar, i shkuar edhe pak në moshë, për 500 euro mund të gjesh partneren e jetës, një shqiptare nga veriu i Shqipërisë ose nga juglindja e vendit.

Gazeta “Dnevnik”, ka publikuar një artikull, i cili i kushtohet rasteve të shumta të martesave të beqarëve maqedonas me nuse shqiptare. Janë vetë burrat e interesuar që kanë treguar se njohja me nuset shqiptare bëhet përmes ndërmjetësuesve, ose shkesëve, për shërbimin e të cilëve duhet paguar minimalisht 500 euro.

Por në këtë “biznes” nuk janë të përfshirë vetëm persona që kanë zgjedhur të përfitojnë në këtë mënyrë. Mësohet se në kërkim të nuseve shqiptare, për beqarët maqedonas, janë vënë edhe krerët e komunave. Një ndër ta është kryetari i Komunës Makedonski Brod Milosim Vojneski, i cili thotë se ka kontakte të vazhdueshme me shkues nga Korça.

Ai është i interesuar t’u gjejë nuse rreth 200 beqarëve nga kjo komunë, ku tashmë janë regjistruar rreth 80 martesa me nuse nga Shqipëria. Sipas gazetës, shumica e nuseve shqiptare janë të deklaruara si myslimane, por ky fakt nuk duket të jetë pengesë, meqë për to, siç thuhet në artikull, nuk përbën problem kurorëzimi në kishë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb