Gazeta e mirënjohur britanike “The Guardian” ka shprehur në një shkrim, shqetësimet për demokracinë e brishtë, tensionet dhe krizën politike të krijuar pas zhvillimeve të fundi mes padive për procesin e nisur nga pushteti të koduar si “Puç”, ndaj liderit opozitar maqedonas, Zoran Zaev dhe, në anën tjetër, zbardhjen e përgjimeve nga ky i fundit.

“The Guardian” shkruan se vendi po ballafaqohet me një krizë të përshkallëzuar politike dhe se shprehen shqetësime për ndërhyrjen e pushtetit te gjykatat dhe mediat.

Sipas “The Guardian”, Brukseli zyrtar ka rritur shqetësimet për këtë krizë politike, por, nga ana tjetër, nuk pritet përshkallëzim i saj në ndonjë konflikt.

Maqedonia, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përballet me një krizë të përshkallëzuar politike mes dyshimeve të një “grushti shteti” të planifikuar dhe një skandali të përgjimeve të publikuar nga opozita.

Sipas gazetës, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, edhe këtë të premte lëshoi të ashtuquajturat ‘bomba’ kundër qeverisë, ku u publikuan një seri bisedash të përgjuara të kryeministrit Nikola Gruevski dhe zyrtarëve të tjerë, në të cilën diskutohet për ndërhyrje në procese gjyqësore, media dhe planifikime urbane.

Maqedonia është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga viti 2005, por negociatat kanë qenë në mënyrë të përsëritur të bllokuara nga Greqia për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me emrin e vendit.

Teksa zyrtarët e BE-së kanë përsëritur çdo vit rekomandimin për nisjen e negociatave, në Maqedoni janë rritur shqetësimet për respektimin e vlerave evropiane, sidomos për shkak të ndërhyrjes së pushtetit ndaj lirisë së medias dhe gjyqësorit.

Lideri opozitar, Zaev, pretendon se bisedat e ardhshme të përgjuara vënë në dukje makinacionet e dyshuara të Gruevskit mbi “çështjen e emrit” dhe mbylljen e një stacioni televiziv të opozitës, transmetojnë mediat në Shkup.

Ai ka thënë gjithashtu se zbulimi i përgjimeve të tjera në të ardhmen mund të përfshijnë edhe elemente etnike. Qeveria akuzon Zaevin për spiunazh dhe komplot për një grusht shtet.

Tensionet në Maqedoni kanë qenë në rritje që prej zgjedhjeve të kontestuara në prill 2014, në të cilat partia në pushtet konservatore VMRO-DPMNE e Gruevskit mundi partinë LSDM të Zoran Zaev per te katerten here me radhë. Opozita deklaroi se zgjedhjet ishin manipuluar dhe vjedhur nga pushteti.

Autoritetet në Shkup pranojnë se vendi ka mangësi, por këmbëngulin se procesi i pranimit në BE do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi më transparent e funksional në vend.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb