MAQEDONI- Rëndohet situata në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, aty ku rreth 4 mijë emigrantë janë bllokuar nga autoritetet maqedonase, me pretendimin se vendi i tyre nuk ka kapacitete për të përballur fluksin e tyre. Policia maqedonase ka hedhur sot gaz lotsjellës përpara emigrantëve që kërkojnë ta përdorin Maqedoninë si vend tranzit për të kaluar më pas në Europë dhe është përleshur me ta raporton Reuters. Në këto përleshje me policinë janë plagosur 5 emigrantë.

Policia vazhdon me masat e rrepta të kontrollit të kufirit dhe është përforcuar me njësitet speciale ushtarake dhe ka blinduar kufirin. Mbi tre mijë emigrantë kanë kaluar natën në qiell të hapur, duke tentuar për të hyrë në territorin e vendit.Emigrantët janë ankuar për dhunë dhe terror të ushtruar nga ana e policisë maqedonase. Ndërkohë, një polic mbrëmë përfundoi i plagosur me thikë nga ana e një emigranti, transmeton AK.

Pas fluksit të emigrantëve Maqedonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme me pretendimin se nuk mund t’i përballonte, ndërkohë që për ngjarjen reagoi dje edhe Këshillli i Evropës duke i kujtuar Maqedonisë të mos shkelë standardet dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

REAGON KE: KONTROLLOJNI EMIGANTET, MOS LEJONI VETEM ATA QE S’PERMBUSHIN KRITERET
Maqedonia ka të drejtë, në pajtim me ligjet ndërkombëtare, ti kontrollojë njerëzit që dëshirojnë të hyjnë në territorin e saj dhe të ndalojë hyrjen e atyre të cilët nuk u përmbushin kriteret. Këtë e bëri të ditur zyra e shtypit e Eurokomisionerit për zgjerim, Johanes Hahn, në pyetjen e mediave nëse Komisioni e di se Maqedonia shpalli gjendje krize.

“Komisioni e di vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së krizës në kufirin e saj jugor dhe verior. Komisioni është i përgatitur edhe më tej që ti jepë ndihmë humanitare Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.

Nga Komisioni gjithashtu rikujtojnë se Bashkimi Evropian (BE) deri më tani ka siguruar 90.656 euro ndihmë humanitare për Maqedoninë, kur ishte prekur nga fluksi i emigrantëve, por se në fazën përfundimtare është pakoja e ndihmës dedikuar për Ballkanin perëndimor e cila “peshon” 8 milionë euro, e cila do të realizohet në shtator, transmeton Zhurnal.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: