Intervistoi BEN ANDONI*

TIRANE – E inauguruar më 30 tetorin e vitit të largët 1938, ndërtesa e Bankës së Shqipërisë ishte dhe mbetet me ristrukturimin e saj, që sapo u inaugurua, një nga veprat më të arrira të kryeqytetit, me një arkitekturë unike që i përket Rrymës së Racionalizmit. Ajo u projektua nga arkitekti i mirënjohur italian Vittorio Ballio Morpurgo dhe falë elementëve të saj dhe sidomos solemnitetit të fasadës u kthye në një pikë të rëndësishme referimi për qytetarët, historinë arkitekturore dhe planet urbanistike të mëvonshme të kryeqytetit tonë. Në vitet e fundit, ajo është bllokuar për një kohë të gjatë si shkak i ristrukturimit, që u përfundua nga studio Petreschi dhe që realizoi një përshtatje në vazhdimësi të punës, që kishte bërë paraardhësi i tij, por kuptohet brenda kanoneve të Shkollës Italiane. Marco Petreschi, Nilda Valentin, Giulio Amadei, Francesco Ciresi, Antonio Archiletti, grupi i projektimit të Muzeut përfaqësuar nga Studio Rebus sh.p.k., Arkipost Engineering, Museum Engineering, Goppion, si dhe institucionet shqiptare dhe të huaja, arkitektët, historianët, numizmatët, koleksionistët, etnografët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të angazhuar na kanë sjellë një kompleks shumë interesant… duke e lënë godinën e Bankës, tashmë edhe me aksesorët e saj, sërish një strukturë të adhuruar në qytet dhe një pikë të çmueshme atraksioni turizmi.

Me projektin e rikonstruksionit të Petreschi-t, ndërtesa ekzistuese qëndron e njëjtë në formën e fasadës, ndërkohë që eliminon çdo ndryshim, shtesë apo ndërhyrje të realizuar në brendësi të saj ndër vite. Ajo, po ashtu, vjen e restauruar në tërësinë e elementëve të ndryshëm arkitekturorë, duke e ruajtur të pandryshuar origjinalitetin e saj.

Ndërtesa e re përveç 4 kateve mbi tokë shtrihet në thellësitë e nëntokës me plot 4 kate të tjera, të cilat ofrojnë mundësi për shërbimet teknologjike dhe shumë atribute të tjera. E sa i përket karakterit shqiptar, që nuk ishte shumë në godinën parerendëse, ai do të shprehet:
“Lindi kështu ideja për një interpretim në terma arkitektonike e një peizazhi shqiptar plot ujë, me lumenj, ujëvara, me male dhe shkëmbinj. Ja pra ujëvara në hyrje dhe faqet e ujit përgjatë trotuarit, që hyn në “holl”, ku një shkallë me reflekse jeshile smeraldi dhe blu reflekton dhe na sjell burimin e syrit të kaltër etj. Në brendësi, një tendë e madhe çeliku dhe qelqi bashkon të dy ndërtesat për të formuar një dhomë urbane. Pra qyteti hyn brenda, si të ishte vazhdimësia e terrenit urban aty vërdallë”.

Projekti juaj i ri që lidhet me Bankën e Shqipërisë duket shumë mbresëlënës. Është thënë se godina e Bankës është përballur me shumë modifikime përgjatë viteve nga arkitektë të ndryshëm. A kanë mundur këto ndërhyrje që ta ndryshojnë konceptin e vërtetë të arkitektit të saj të parë Morpurgo-s për Bankën e Shqipërisë?
“Duke e konsideruar si duhet problemin e zgjerimit të Bankës së Shqipërisë, e duke e marrë të mirëqenë se duhej ta kisha restauruar si duhet filologjikisht, përmes vizatimeve të arkivit të Morpurgos, unë duhej të vazhdoja ta zgjeroja, të themi, me të njëjtën gjuhe ose jo. Padyshim që evitova menjëherë këtë hipotezë, që dukej si trashëgimi e disa rregullave të kaluara të kompozimit arkitektonik.
Kështu që vendosa të procedoja bazuar në rregullat mbi të cilat jam formuar, që do të thotë ato të Shkollës Italiane, e cila ka aplikuar metoda që i kanë kthyer njerëzimit sërish strukturat antike, me trashëgimitë e tyre historike, duke na i risjellë ato sërish në jetë.
Për të përfunduar që t i përgjigjem pyetjes tuaj do tju them se kam eliminuar, ashtu siç ishte e natyrshme, të gjitha shtesat (që nuk kanë lidhje me origjinalin) e që, ndër vite, ishin mbivendosur në mënyrë të paparishikuar mbi strukturën origjinale”.

Cila ishin vështirësitë dhe sfidat më të mëdha, që hasët sa i përket projektit të Bankës së Shqipërisë?
“Sfida ishte ajo e mbajtjes se një ekuilibri midis parë-ekzistencës së Morpurgos, e lidhur me ekzigjencat dhe gjuhën e kohës, me risinë e domosdoshmërisë që do të kërkonte nevoja për një qasje të re e me karakter funksional, që në shtesë do duhej të kishin veshjen e përshtatshme në lidhje me kulturën e kohës sonë. Por e veçanta ka qenë kërkimi me çdo kusht i ruajtjes së qartë të një vazhdimësie të së njëjtës shkollë”.

Çfarë karakteristikash ka struktura e re që keni projektuar dhe që e lidh disi me kulturën kombëtare shqiptare? Në pamje të parë duket një ndërtese tipike e kulturës suaj, apo jo? Dhe, diçka tjetër:
Në projektet tuaja specialistët vlerësojnë harmoninë dhe ekuilibrin mes godinave të vjetra dhe të reja. Si e keni mbartur në projektin e ri sa i përket strukturës së bankës?
“Siç kam pasur rast t ua shpjegoj kritikëve, ndërtesa e një Banke Qëndrore, është një strukture unike në çdo vend. Morpurgo ndërkaq ka përdorur një gjuhe që qëndron pezull midis monumentalizmit dhe racionalizmit tipik të kohës, që kishte një kuptim të qartë, ose e thënë ndryshe, përfaqësonte në mënyrë eksplicite prezencën institucionale italiane në vende të ndryshme ku ata qëndronin për një periudhë kohore.
Duke e marrë parasysh këtë, kemi kërkuar që në ndërhyrje të egzorcizojmë aspektin politik si dhe kemi dashur të bëjmë të mundur që pjesa e re të përfaqësonte një gjë që ti përkiste jo një klase dominuese, por çdo qytetari të thjeshtë.
Lindi kështu ideja për një interpretim në terma arkitektonike e një peizazhi shqiptar plot ujë, me lumenj, ujëvara, me male dhe shkëmbinj. Ja pra ujëvara në hyrje dhe faqet e ujit përgjatë trotuarit, që hyn në “holl”, ku një shkallë me reflekse jeshile smeraldi dhe blu reflekton dhe na sjell burimin e syrit të kaltër etj. Në brendësi, një tendë e madhe çeliku dhe qelqi bashkon të dy ndërtesat për të formuar një dhomë urbane. Pra qyteti hyn brenda, si të ishte vazhdimësia e terrenit urban aty vërdallë”.

A ju ka shqetësuar mungesa e hapësirës fizike të Tiranës në vetvete për projektin tuaj? E bën atë të duket pak si e “kapur në çark”, strukturën e bankës?
“Ky i fundit nuk më ka ndihmuar, por nëse do duhet të isha i sinqertë, projektin ynë mbivendoset në të jo në terma prishëse, por si një tentativë për tu riqepur mbi supet e sheshit “Skënderbej”, siç shkon edhe me qëllimet e vizatimit urban që kanë qenë të përcaktuara nga zgjatuesit e planit rregullator të Tiranës në vitet 30. Jo vetëm kaq, por kjo zgjedhje projektuese kishte qëllimin e vlerësimit të qytetarëve të një ndërhyrje në shkalle njerëzore, jo si ato të përfaqësuara nga kullat e larta, që sipas mendimit tim, përfaqësojnë një instrument prishjeje në lidhje me origjinën e bukur morfologjike urbane që e karakterizon Tiranën”.

Duket se globalizimi është duke dërguar njeriun e shekullit tonë në udhëkryq. Çfarë është zhdukur, në vështrimin e parë, prej gjërave të mira që janë të trashëguara prej arkitekturës së vjetër dhe klasike drejt arkitekturën së sotme, asaj post-moderne?
“Mendoj se iu përgjigja deridiku kësaj në pyetjen pararendëse. Në fakt, dua të shtoj se globalizimi ka disa elementë pozitivë përsa i përket shkëmbimeve tregtare, monetare e kufijsh kombëtar, por në fakt rrezikon, për një ekses të ndërhyrjes në vende të ndryshme, që të bëjë humbjen e çfarëdo identiteti kulturor, duke zeruar modelet e jetesës së etnive të ndryshme që në këtë mënyrë rrezikojnë një homologim të sheshtë”.

Morpurgo arriti të parashikojë në projektin e tij zgjerimin e ndërtimit në të ardhmen. Çfarë keni menduar për projektin tuaj, lidhur me të ardhmen? Si do mundet që pasardhësi juaj të arrijë e të punojë pas një dekade ose shekulli?
“Morpurgo prezantoi një projekt zgjerimi tejet interesant për kohën, por absolutisht të papërshtatshëm për ditët e sotme, për kushtet e ndryshuara të administrimit të një Banke Qendrore moderne. Pavarësisht gjuhës së tij, që sot do të ishte tejet e vjetër, duhet të mendohet shumë mirë për sistemin e parashikuar nga ai në shtesën e përbërë nga korridore qendrore, që në rast të kundërt të mungesës do kishin penguar fleksibilitetin e përdorimit të sektorëve nga është i përbërë administrata e një institucioni i këtij lloji, që në erën dixhitale, ndryshon pothuaj çdo muaj.
Ky projekt, në mbyllje, shpresoj të dëshmojë dy gjëra themelore. E para, që të lerë mundësinë e modifikimeve të mundshme funksionale me ato që karakterizohet si “Open space”. E dyta, që uroj të jetë e dukshme, që dy blloqet, njëri prej 75 vjetësh dhe ai i sotmi, të jenë bërë një organizëm i vetëm kompleks që të jenë në gjendje të paraqesin “dal vivo” një pjesë të historisë së qytetit, e përbërë nga një periudhë e largët dhe një tjetër e drejtuar në Europë.
E gjitha kjo, siç e kam përmendur dhe më parë, e realizuar me një ide thelbësore: që nga hiri i së shkuarës të mund të rilindi diçka që mund ta ndajnë të gjithë dhe më falni nëse ia lejoj vetes, diçka me të bukur. Një gjë si e tipit të zogut mitik të Feniksit”.
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb