“Amendojeni ose shfuqizojeni ligjin Bossi-Fini”, tha dje, kandidati i vetëm shqiptar në listat e partive italiane për zgjedhjet në Parlamentin Europian, Marco Muharrem Salihu, në TV Veneto, në një debat të fortë ku merrnin pjesë dy krahët e politikës italiane, në moderimin e gazetarit me eksperiencë, Luigi Bacialli.
Kritikën e tij për këtë ligj diskriminues të tejkaluar nga koha e mbështetën të dy krahët e politikës, madje dhe prej të djathtës. Në debatin e fortë që zgjati dy orë, kandidati shqiptar foli dhe për njohjen e shpejtë të dokumentave të studimit dhe atyre profesionale të shqiptarëve, në kushtet kur Shqipëria si pjesë e Ballkanit, ka treguar se është pjesë e një territori me afërsi kulturore, ekonomike, historike me Italinë.
“Ju e dini se tashmë ka italianë që po shkojnë në Shqipëri, për biznes, pensione, turizëm, dhe disa ligje nuk kanë kuptim për të frenuar apo kufizuar lëvizjen e lirë nga Shqipëria dhe Ballkani”, nënvizoi ai. Ndërkohë, Marco Muharrem Salihu, foli dhe për shembuj të suksesshëm të integrimit të bashkëkombasve tanë në Itali.
Tema e qendrave të strehimit për emigrantët e huaj në territorin shqiptar zuri vend në debatin e fortë në TV Veneto. Kandidati i Stati Uniti d’Europa për Rajonin e Verilindjes, në shkëmbim të kësaj ndihme që po jep Shqipëria për Italinë dhe BE për frenimin e emigracionit klandestin, kërkoi lehtësira për produktet shqiptare në tregun italian.
“Kur bëhet fjalë për Evropën nuk mundesh mos fol per punë ekonomie, dhe ndaj kemi Marko Salihu, një sipërmarrës që punon në Venecia me origjinë shqiptare, kandidati për zgjedhjet evropiane. Nga pikëpamja e politikës ekonomike industriale sipas mendimit tuaj cfarë duhet bërë më shumë në Evropë?-ishte prezantimi me të cilat moderatori Bacialli, e ftoi kandidatin Marco Salihu të merrte fjalën.
Salihu i kërkoi ekonomisë italiane, shtetit italian, që është i prekur nga njëlloj emigracioni, nga vendet fqinjë në Ballkan, por dhe pellgje të tjera gjeografike, të ndiqte shembullin e Gjermanisë. “Duhen hapur qendra trajnimi profesional, shkolla, në vendet nga vjen emigracioni me kulturë më të ngjashme me atë italiane.. Kështu ata vijnë të përgatitur në territorin tonë”, tha ai.
Salihu shprehu mirënjohjen e shqiptarëve për Italinë, një vend që i ka dhënë mundësi të pafundme bashkëkombasve tanë, që rezultojnë sot komuniteti më i integruar.
(BalkanWeb)