Në ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike në Shqipëri, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zgjodhi Parkun Arkeologjik të Apolonisë, për të dhënë mesazhin e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.


Duke iu referuar ngjarjes që ndodhi në Paris, shkrumbimin e katedrales Notre Dame, Margariti bëri thirrje nga Apolonia për të ndërgjegjësimin e trashëgimisë sonë kombëtare.


“Ajo që ndodhi në Paris duhet të na bëjë edhe më të ndërgjegjshëm për trashëgiminë tonë kombëtare, për ta mbrojtur atë dhe nga ana tjetër për ta promovuar edhe më tepër. Është e rëndësishme që teknologjinë ta përdorim në këtë drejtim. Është një formulë, tek e cila ne besojmë fort, që është ajo e dixhitalizmit për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.


Sot, mundësitë që na ofron teknologjia, të gjithë mund t’i përdorim në shërbim të promovimit të kulturës”, u shpreh ministrja Margariti. Në vitin 1982, Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet. Prej asaj periudhe, 18 Prilli shënon ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj. Monumenti i Agonotetëve, ngritur mes gjelbërimit dhe kurorës së ullinjve, u kthye në një prej simboleve të këtij viti, në këtë ditë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb