Bashkëpunimi i mirë ndër-fqinjësor është bazë për qëllimet e përbashkëta të Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat janë të orientuara që t’i përkasin strukturave evropiane, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Kryeministri malazez Markoviç, i cili është pritur nga krerët më të lartë institucional të Kosovës, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës për Zhvillim të komunitetit malazez në Kosovë. Ai ka theksuar se kjo qendër do t’i kontribuojë forcimit të lidhjeve të malazezëve të Kosovës me shtetin amë, Malin e Zi, për të kultivuar identitetin, kulturën dhe vlerat e veta.

“Malazezët në Kosovë dhe shqiptarët në Mal të Zi janë dy shtyllat mbi të cilat qëndron ura e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona. Së bashku do të kujdesemi që ajo të mos jetë një urë e paqëndrueshme ballkanike, por një urë e fortë evropiane”, ka thënë Markoviç.

Kryeministri i Malit të Zi, Markoviç, po qëndron për vizitë në Kosovë, me ftesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përveç takimeve me liderët institucional të Kosovës, Markoviç do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të autostradës “Arbër Xhaferi”.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thanë se bashkëpunimi më Malin e Zi është i rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe për faktin se ky vend fqinj është anëtar i NATO-s.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb