TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për News24 edhe për bashkëpunimin me kreun e opozitës Lulzim Basha në këtë situatë pandemie. Sa i përket video-montazhit të publikuar një ditë më parë në Instagramin e tij, Rama tha se merr shumë nga memet dhe video montazhet e rrjetit dhe e ka bërë këtë dhe për veten. Ndërkohë sa i përket bashkëpunimit, ai tregoi se çfarë i ka kërkuar Bashës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Çfarë video-montazhi? E keni fjalën për atë humorin e rrjetit. Rrjeti në këtë periudhë është goxha pjellor dhe unë marr shumë nga këto memet dhe nga këto videomontazhet. Më pëlqen nganjëherë ndonjërën tek-tuk ta ndaj me të tjerët. Në faqen time në ‘Facebook’ kam publikuar një vjershë duke i ftuar njerëzit të qeshin me mua. Përtej humorit që është një mënyrë për të thënë të vërtetën, unë i kam kërkuar kryetarit të opozitës, falë tryezës së organizuar nga presidenti që është një gjë tjetër shumë pozitive e bërë në këtë kohë, po ta shikosh ngushtë këshilli i sigurisë kombëtare nuk ka lidhje të drejtpërdrejt me këtë situatë, por ta shikosh gjerë presidenti bërë gjënë e duhur dhe ftesa e kreut e të opozitës në këtë tryezë është përtej formatit. Presidenti e mori atë nismë, kërkoi një lloj aprovimi dhe ne e dhamë menjëherë. Në atë tryezë i kam thënë kryetarit të opozitës dëgjo këtu ‘ nuk ka nevojë nëse sinqerisht do të bashkëpunosh, nëse sinqerisht do të kontribuosh, të helmosh njerëzit dhe të krijosh më shumë stres se ç’kanë duke dalë e duke folur për maska të helmuara dhe për gjëra që le të themi i keni kuptuar gabim. Fillimisht na kërkoni çdo lloj informacioni dhe na kërkoni të themi pse ne mendojmë se është bërë kështu pastaj ju mund të dilni të thoni çfarë të doni.
E dyta nuk ka nevojë, është e dëmshme që të dilni në publik dhe të flisni për fshehje të numrit të të vdekurve. Një marrëzi dhe një ligësi e madhe apo të dilni të flisni për të dhëna nga populli për tamponë që bëhen politikisht. Ju na kërkoni dhe ne ju themi qëndrimin tonë, zyrtar plus jo zyrtar dhe pastaj mund të dilni. Por të dilni dhe të flisni lloj-lloj gënjeshtrash këto nuk janë bashkëpunim. Është skandal që nga pikëpamja morale të nisin dhe të thyejnë dhe rregullat dhe të varen në kangjellat e Ministrisë së Shëndetësisë për të gënjyer popullin duke thënë gjëra të pavërteta, është skandal, është turp. Nuk kam kërkuar bashkëpunim për mua, por për popullin shqiptar”, deklaroi Rama.
(m.k/BalkanWeb)