SHKUP– Pas marrëveshjes së arritur mes partive kryesore shqiptare në Maqedoni, të cilat përmes një deklarate të përbashkët rendit kushtet për të formuar qeverinë e re, ka reaguar kreu i partisë fituese të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, Nikolla Gruevski. Duke komentuar platformën e partive shqiptare, Gruevski thotë se dygjuhësia nuk u duhet shqiptarëve në Dellçeve apo viset e tjera ku ata nuk jetojnë.

Në një intervistë për ‘Dnevnik’, Gruevski ka lënë të kuptohet se nuk është dakord me platformën e njësive politike shqiptare dhe ka theksuar se nëse BDI do të vendosë të bëj koalicion me LSD, VMRO-DPMNE do të rikthehet në pushtet me një fitore më të thellë dhe pa asnjë kusht për formimin e qeverisë së re.

Sipas tij, shqiptarët më shumë kanë nevojë për punësime të reja, paga të mëdha dhe standard më të lartë jetese sesa për vendosjen e shqipes si gjuhë zyrtare.
Me një avantazh të lehtë ndaj LSDM-së së Zoran Zaevit dhe tashmë me një platformë të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, Gruevski thotë se situata aktuale nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka ndodhur në të kaluarën.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: