Greqia mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut, por edhe të gjithë Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar në Shkup, Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias.

Ai pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se “Greqia është dhe mund të jetë miku dhe bashkëpunëtori juaj më i mirë”, por shefi i diplomacies greke theksoi rendësinë që ka për dy vendet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.

Me këtë marrëveshje të arritur më 16 qershor të vitit 2018, dy vendet kanë zgjidhur mosmarëveshjet gati 20 vjeçare për kontestin e emrit të Maqedonisë së Veriut, e cila deri atëherë quhej, Republika e Maqedonisë.

“Zgjedhja që keni bërë për të qëndruar pranë nesh, për të ecur në rrugën drejt familjes së madhe evropiane është zgjedhja e duhur për të mirën e njerëzve tuaj. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të vazhdojë. Ajo është baza për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe anëtarësimin e vendit në familjen evropiane”, ka deklaruar kreu i diplomacisë greke, Nikos Dendias, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb