TIRANE- Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, thotë se marrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit, është një hap i madh përpara. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Çejku tha se pas diskutimeve 25-vjeçare për këtë çështje, tashmë palët, Maqedonia dhe Greqia, kanë në tryezën e diskutimeve në emër konkret.

Sakaq, ai ka komentuar edhe zërat kundër kësaj marrëveshje në Maqedoni dhe Greqi, si dhe qëndrimin e presidentit Ivanov.

“Ka një histori 25-vjeçare diskutimesh për çështjen e emrin, dhe ndaj ky është një hap i madh përpara. Është hera e parë që dy vendet nxjerrin në tavolinë një emër konkret. Pa hyrë në teknikalitete, është një arritje e palëve, që kanë arritur një marrëveshje. Është një marrëveshje e mbështetur nga faktori ndërkombëtar, nga vendet fqinje, Shqipëria dhe Bullgaria. Tani peshë e madhe për konsolidimin e kësaj marrëveshje, u takon dy vendeve ta votojnë atë. Tashmë dihet fakti se në të dy vendet ka reagime të forta, ka kundërshti. Presidenti i Maqedonisë nuk e pranon këtë për disa arsye. Thelbi është se ai është në mandatin e tij të dytë, i promovuar nga partia që tani është në opozitë, mbështetet në kornizën e vjetër të etno-politikës. Është në të drejtën e tij kushtetuese që të japë këto qëndrime, por vendimin për çështjen e emrit do ta japë parlamenti i Maqedonisë me 2 të tretat. Tensionet politike mbeten të pranishme, por do të ketë një ndikim të faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështje”, u shpreh Çejku.

Duke u ndalur tek qëndrimi i shqiptarëve të Maqedonisë lidhur me këtë çështje, ai tha se një zgjidhje mes “të jetuarit në një vend të izoluar me ndikim rus dhe një Maqedonie në NATO”, ata kanë bërë një zgjidhje të duhur. Ndaj sipas tij, shqiptarët kanë qëndruar pak anash në këtë debat, pasi konteksti i debatit nuk cënonte identitetin dhe kulturën e shqiptarëve në Maqedoni.

“Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë ishte një çështje që nuk përfshinte drejtpërdrejt shqiptarët. Ajo që i përfshin shqiptarët është referenca historike, pasi dihet se janë këtu shumë më herët sesa sllavët e maqedonët. Emri “Republika e Maqedonisë së Veriut” është i pranueshëm për shqiptarët”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb