TIRANE- Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka reaguar lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi.

Përmes një deklarate për mediat Idrizi theksoi se Çamëria nuk shitet dhe nuk negociohet dot. Po ashtu ai tha se PDIU i kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur transparencë ministrit Ditmir Bushatit, ndërsa shtoi se e vetmja gjë që kanë kërkuar është zbatimi e “Rezolutës për Çamërinë”. Mes të tjerash kreu i PDIU tha se do të kërkojnë takim urgjent me Bushatin.

REAGIMI I IDRIZIT
Çamëria nuk shitet, nuk barazohet me Vorio-Epirin, nuk e negocioni dot
Çamëria zgjidhet nga burra shteti me dinjitet Kombëtar!
Kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur transparenc nga Bushati, deri më sot na është përgjigjur Kotzias i majmur, i kënaqur dhe arrogant, se për Çamërinë nuk kemi biseduar e nuk bisedojmë.
Kemi kërkuar zbatimin e “Rezolutës për Çamërinë”, na përgjigjen mediat greke se do barazohet termi Çamëri me Vorio-Epirin.
Kemi kërkuar që pleqtë tanë të shkojnë e të shohin dhe njëherë shtëpitë e tyre nga ku ikën nga barbaritë e andarteve greke kërthinj, na përgjigjen me marrëveshjet për Toponimet, ku prindërit tanë duhet të ndërrojnë vendlindjet në pasaportat Shqiptare. Kemi kërkuar të ketë një varrezë njerëzore e një përmendore kujtese për mijëra pleq, gra e fëmijë, që u vranë jo në lufte, po në shtëpitë e tyre me bukë në gojë pabesisht.
Na përgjigjen me varrezat e ushtarëve grek që erdhën si pushtues në Shqipëri, e me përmendoret e turpit të kriminelit Napolon Zerva, në disa qytete në Greqi.
Kemi kërkuar statusin e minoritet etnik shqiptar në Greqi për shqiptarët në Çamëri e Arvanitasit dhe hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, status që e kanë patur që në vitin 1927.
Na përgjigjen me ligjin për Minoritetet, ku e nxorën Shqipërinë me 9 minoritete, e zgjerimin e zonave minoritare Greke jo vetëm në Finiq e Dropull, ku ishin të përcaktuara që në vitin 1937, në kohën e mbretit Zog, e që Shqipëria duhet të vazhdojë me avancimin e të drejtave të minoritet grek në Shqipëri, shkoni e shikoni në Bashkinë e Konispolit që u krijua falë deputetëve të PDIU-së, se si trajtohet minoriteti grek nga një kryetar Bashkie nga Çameria.
Kërkuam 12 vjet heqjen e ligjit të luftës. Na përgjigjen pas 11 vjetësh që po ekziston, do ta heqim, po Kotzias e Bushati nxitojnë të thonë që do të hiqet, po Çamët nuk përfitojnë. Krejt e kundërta është e vërtetë dhe ata e dinë mirë…
Kush mund të mendojë që ka fuqi e këllqe të varrosë Çështjen Çame, e ka gabim dhe të pamundur. Gafurrët e vetkenaqen kot në Athinë e në Tiranë, se duhet të lexojnë 74 vjet histori tonën, që s’na kanë mundur dot as vrasjet, as shpërnguljet, as diskriminimi dhe as harresa.
Kemi kërkuar mbylljen e marrëveshjes fillimisht për kufijtë tokësor e detar, kufijtë të caktuar nga Traktati i Firences që në vitin 1923, e që Greqia akoma nuk e ka ratifikuar. Na përgjigjet Kotzias që do zgjerohemi nga 6 në 12 milje me Shqipërinë në hapësirën detare.
Çdo të thotë kjo?

Na përgjigjen këta tanët se kjo marrëveshje do jetë më e mirë se e para.
Çdo të thotë, ata shiten më shumë, e ne më pak. Apo na futi interesi i Greqisë për zonat Ekonomike me kokë në det, kur ne duhet të ishim me këmbë në tokë, për të mbyllur marrëveshjen për kufijtë tokësor më parë.
Sot dhe Gjykata Kushtetuse nuk është funksionale, uroj mos të jetë e qëllimshme

Integriteti e sovraniteti Kombëtar nuk negociohet por zgjidhet, ajo që i përket Shqipërisë është e shqiptarëve, na e kanë lënë amanet të parët, duhet t’ja lëmë amanet të pa cenuar fëmijëve .
Shoqata Çameria dhe PDIU, do kërkojë në mënyrë të përsëritur dhe për herë të fundit takim urgjent me Z.Bushati, për të bërë transparencë dhe për ti thënë dhe ministrit tonë të Jashtëm, që deri më sot ka folur boll me heshtjen e tij.
Në rast të kundërt, e nëse dikush mendon që ta tradhtojë Çamërinë, ne do ftojmë të gjithë Shqiptarët në protesta masive, në bojkot të produkteve greke, duke radikalizuar fort qëndrimin tone e të gjithë Shqiptarëve patriot, që i bashkon dinjiteti Kombëtar!

KOTZIAS: NUK DISKUTUAM E AS PRANOVA TË FLISNIM PËR ÇËSHTJA ÇAME
Në intervistë të dhënë më 29 qershor për radion greke “News 24/7”, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias mohoi edhe njëherë kategorikisht që në negociatat me Tiranën të jetë diskutuar çështja çame. “Nuk diskutuam kurrë dhe as pranova ndonjëherë të diskutojmë në këtë marrëveshje-paketë çështjen çame. Të jemi të qartë”, tha Kotzias. Ai shtoi se janë tjetër gjë pasuritë e mbajtura në sekuestro nga Ligji i Luftës dhe tjetër pronat e çamëve.

“Është tjetër gjë kur shteti grek tha ‘kjo pasuri shqiptare, përderisa jemi në luftë vihet nën sekuestron time dhe nuk mund ta përdorë armiku dhe kur të mbarojë lufta do të shohim si dhe nëse do t’ia kthejmë apo jo. Dhe janë tjetër gjë pasuritë që u konfiskuan për shkak të bashkëpunimit me armikun, domethënë me nazizmin gjerman dhe fashizmin italian, nga grupi i liderëve çamë kryesisht në Thesproti”, pohoi ai. Duke komentuar reagimet në Greqi, sipas të cilave, me marrëveshjen Athinë-Tiranë, do t’u dorëzojë shqiptarëve krahinën e Thesprotisë që do të quhet më pastaj Çamëri, Kotzias i cilësoi si “absurditete”. “Kjo është retorika e urrejtjes dhe e absurditetit. Dhe duhet ta presin. Sepse nuk i shërben vendit, por vetëm interesave idiote të tyre”, ka përfunduar Kotzias.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: