Komisioni Evropian propozon heqjen e regjimit të vizave për shtetasit turq, si kusht për vijimin e zbatimit të marrëveshjes Turqi-BE për emigracionin. Zv/presidenti Timmermans tha se Turqia ka bërë progres mbresëlënës.

Megjithatë sipas KE, “Turqia ka ende punë për të bërë për të plotësuar standardet. Propozimi është tashmë në tavolinë, që secili vend të marrë një vendim”.

Dhënia e dritës jeshile do të ishte e kushtëzuar, sipas këtyre burimeve, pasi ekzekutivi evropian më parë do të vërejë nëse mbeten ende disa kritere për t’u përmbushur nga ana e Turqisë për përfitimin e liberalizimit të vizave afatshkurtra për shtetasit e saj në hapësirën e lëvizjes së lirë të Schengenit.

Ankaraja ka theksuar se nuk do të zbatojë më nga ana e saj marrëveshjen BE-Turqi për fluksin e refugjatëve, arritur më 18 mars, nëse premtimi evropian i heqjes së vizave nuk do të merrej në konsideratë.

Por ndërkohë edhe Turqia ka vendosur të heqë vizat për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Vendimi për liberalizimin e vizave nga ana e Turqisë për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së u publikua në Fletoren Zyrtare. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave. Ky vendim do të hyjë në fuqi në datën kur Bashkimi Evropian të bëjë liberalizimin e vizave të Schengenit për qytetarët turq.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: