Zbulohet plani i masave të ministrave të Financave të 19 vendeve të Eurozonës për Greqinë. Në një dokument prej katër faqesh kryefinancierët e monedhës euro kanë përcaktuar në këtë draft marrëveshje dy opsione për zgjidhjen e çështjes greke. Varianti i parë sipas këtyre dokumenteve përfshinë një plan të ri shpëtimi për shtetin grek. Kjo paketë parashikon një financim prej 82-86 miliardë eurosh për reformat e nevojshme që do ta mbajnë Greqinë në bllokun e monedhës euro.

Kjo shumë do të përdoret për realizimin nga ana e qeverisë së Tsipras të  12 reformave të përcaktuara nga ministrat e financave, një pjesë e të cilave do të jetë me të vërtetë të dhimbshme.

Një nga këto propozime lidhet me programin e privatizimeve të disa aseteve të saj. Në dokument thuhet se në rast se Greqia nuk do të paraqesë një program të përshpejtuar të privatizimeve dhe realizim të tyre, atëherë pasuritë e saj të vlerësuara me 50 miliardë euro do t’i shkojnë një institucioni të veçantë në Luksemburg, për t’i shitur ato. Por kjo do të jetë një humbje e madhe e sovranitetit grek, një vendi që për pesë vjet ka qenë i mbikëqyrur nga BQE, BE dhe FMN.

Ndër të tjera në 12 masat e propozuara, qeverisë greke i kërkohet që të implementojë masat e menjëhershme në mbështetjen me likuiditet prej 25 miliardë eurosh të sistemit bankar me qëllim kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm.

Ndërkohë që varianti i dytë lidhet me një dalje të përkohshme të Greqisë nga Eurozona. Ky do të jetë rasti, nëse qeveria greke nuk arrin marrëveshjen me kreditorët për ristrukturimin e borxhit grek.

Në opsionin e dytë thuhet konkretisht se nëse nuk do të  ketë asnjë marrëveshje të arritur, Greqia duhet të dalë përkohësisht nga zona euro me një ristrukturim të mundshëm të borxhit. Po sikurse shihet vendosja në thonjëza e këtij varianti, sipas mediave ndërkombëtare ka një rëndësi të veçantë pasi, nënkupton se ministrat e Financave të monedhës Euro nuk janë dakord me këtë zgjidhje ndaj ua kanë deleguar atë krerëve të qeverive të 19 vendeve anëtare.

EUROGRUP VIJON DISKUTIMET, GREQIA: MASAT E PROPOZUARA SHKATËRRUESE
Ora 22:36- Vijojnë diskutimet e Eurogupit për Greqinë. Nga ana e palës greke, masat e propozuar shihen si shkatërruese, ndërsa pohohet se po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme. Bresidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi është shprehur pro planit për Greqinë. “Nevojitet sinjal politik, marrëveshja është e mundur”, ka thënë Draghi, ndërsa kancelarja Merkel vijon të jetë kundër Greqisë.

HOLLANDE E JUNCKER: GJITHÇKA PËR ARRITJEN E NJË MARRËVESHJEJE PËR GREQINË. MERKEL: JO ME ÇDO KOSTO
Presidenti francez, Francois Hollande ka komentuar takimin e Eurozonës. Hollande ka deklaruar se Franca është aleati i Greqisë në këtë çështje dhe se Franca do bëjë gjithçka për të arritur marrëveshje, duke e përjashtuar mundësinë e hedhur nga pala gjermane për një “Grexit të përkohshëm”. Por nga ana tjetër kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur se marrëveshja nuk do arrihet me çdo kosto. “Monedhës sonë tashmë i ka humbur besimi. Nuk presim qëndrim unanim në takim. Vlera më e rëndësishme, besimi dhe besueshmëria janë humbur ndaj Athinës”, shtoi kancelarja gjermane që theksoi se do të ketë negociata të ashpra.
Të njëjtin qëndrim me presidentin francez duket se ka mbajtur edhe Kreu i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Ai ka thënë se do të luftojë deri në momentin e fundit për arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë.

MARRËVESHJA, MINISTRAT E FINANCAVE KËRKOJNË PAKETË SHPËTIMI 86 MLD EURO OSE GREXIT
Ora 19:05- Mediat ndërkombëtare zbulojnë dy draft-marrëveshjet për Greqinë. Dy variantet për marrëveshje po diskutohen brenda takimit të ldierëve të Eurozonës. Sipas mediave, Ministrat e Financave kërkojnë një paketë shpëtimi për Greqinë prej 86 miliardë eurosh. Drafti i është dorëzuar 19 liderëve të Eurozonës. Ndërkohë drafti i dytë është dalja e përkohshme e Greqisë nga zona euro. Drafti i dytë për Greqinë nëse nuk arrihet marrëveshja.

SCHULZ: UDHËHEQËSIT E EUROZONËS TË ARRIJNË NJË MARRËVESHJE
Ora 17:15- Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz ka dalë në një konferencë shtypi për Greqinë. Schulz tha se nuk ka ndeshur në një situatë të tillë si kjo e krizës greke. Presidenti i PE-së deklaroi se udhëheqësit e Eurozonës duhet të arrijnë sot një marrëveshje.

“Sot jemi në udhëkryq. Nuk kam ndeshur një situatë si kjo e krizës greke. Udhëheqësit e Eurozonës duhet të arrijnë sot marrëveshje. Pyetja e sotme është: Ecim së bashku apo do copëtohemi? BE duhet të tregojë se është e aftë të zgjidhë problemet”, tha Schulz.

KREU I EUROGRUP: KA ENDE ÇËSHTJE PËR T’U ZGJIDHUR
Ora 16:50- Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem deklaroi në nisje të Samitit të liderëve të Eurozonës se ka ende çështje të mëdha që kërkojnë zgjidhje. “Ne kemi bërë një rrugë të gjatë. Ka ende çështje për t’u zgjidhur. Do të informojmë udhëheqësit, ata vendosin”, tha Dijsselbloem.
Edhe Ministri i Financave të Austrisë, ka folur për çështjen greke. Ai tha se parlamenti grek duhet të mbështesë platformën. Ndërkohë Kryeministri i Finlandës, Enda Kenny, theksoi se duhet një angazhim i Greqisë për ndërtimin e besimit
Eurogrup i ka lënë afat Greqisë deri në 15 korrik të implementojë reformat. Ministri i Jashtëm i Belgjikës tha se propozimet greke janë të pamjaftueshme dhe se janë shtuar propozime të tjera.

NIS TAKIMI I LIDERËVE TË EUROZONËS PËR GREQINË
Ora 16:25- Nis në Bruksel takimi i liderëve të Eurozonës për Greqinë. Ndërkohë Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz tha se Greqia duhet të rifitojë besimin. (foto, Samiti i Lidereve të Eurozonës)

PËRFUNDON TAKIMI I MINISTRAVE TË FINANCAVE TE EUROZONËS, STUB: NË GJENDJE TË HARTOJMË NJË PROPOZIM AMBICIOZ
Ora 16:18- Ka përfunduar takimi i Ministrave të Financave të Eurozonë në lidhje me gjetjen e një zgjidhje për krizën greke. Në përfundim të këtij takimi, Ministri i Financave të Finlandës, Stubb, tha se “jemi në gjendje të hartojmë një propozim ambicioz”. “Kemi bërë progres të mjaftueshëm, jemi në gjendje të hartojmë një propozim ambicioz. Ky propozim do t’u raportohet krerëve të qeverive”, tha Stubb.

TSIPRAS: NJË MARRËVESHJE ËSHTË E MUNDUR NËSE TË GJITHA PALËT E DËSHIROJNË
“Një marrëveshje mes Greqisë dhe partnerëve të saj evropianë është e mundur të dielën vetëm nëse të gjitha palët do të duan këtë”, deklaroi kryeministri grek Aleksis Tsipras para mbledhjes së eurozonës në Bruksel, ku do të përpiqet të gjejë një kompromis për të shmangur një dalje të vendit të tij nga monedha e përbashkët.
“Jam këtu për të arritur një kompromis të ndershëm, ia detyrojmë këtë popullit evropian”, theksoi Tsipras.

RENZI: GREQIA? PROBLEMI SI BE-JA IMAGJINON TË ARDHMEN E SAJ
Problemi i vërtetë, tejkaluar këtu çështjen greke, është sesi Evropa e imagjinon veten e saj në të ardhmen, deklaroi kryeministri italian, Matteo Renzi në një intervistë me stacionin informativ televiziv Al Jazeera.

“Aktualisht duhet të zgjidhim emergjencën e Greqisë, por absolutisht duhet të ndryshojmë Evropën për brezat e ardhshëm”, theksoi kryeministri italian. “Sfida ime dhe ajo e liderëve më të rinj evropianë është krijimi i një vizioni për të ardhmen”, shtoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb