Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 e ka cilësuar ngjarje të trishtë vendimin e opozitës për të dorëzuar mandatet, sidomos në një kohë kur pritet një vendim aq i rëndësishëm siç është vendimi për hapjen e negociatave me BE.

Gjebrea ashtu si shumica e socialistëve është e mendimit se opozita e ka ndërmarrë këtë vendim ekstrem nga frika e reformës në drejtësi, por thotë se pavarësisht kësaj, PS-ja nuk do lëkundet për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Nëse qytetarët nuk kanë besim tek PS janë ata që vendosin përmes votës dhe askush tjetër. Qeveria ka para një rrugë të dhimbshme me vështirësi por kemi detyrime ta çojmë qeverinë para. Ata kanë frikë nga reforma në drejtësi. Edhe në 2017 kur fituam zgjedhjet nuk pati asnjë ankesë, kujtohen tani pas 1 viti e gjysme e thonë se zgjedhjet nuk ishin të lira e të ndershme”,- tha ajo.
E pyetur nëse është e gatshme mazhoranca të dialogojë, Gjebrea tha se një mundësi të tillë opozita e ka djegur. “Ne kemi qene që ata të futen në dialog, të pranojnë të futen në diskutime për reformën zgjedhore, si ti besojmë ne kur opozita nuk vjen në komision? Mund t’i adresonte vërejtjet e saj në këtë komision dhe të dilnim me një produkt të përbashkët. Të gjitha përpjekjet tona vajtën zero”,- vijoi deputetja e PS.

Sa për të enjten, kur opozita pritet të protestojë, Gjebrea tha se mazhoranca nuk i trembet. Ajo citoi deklaratën e zëdhënëses së KE-së, Maja Kocijancic që të qëndrohet larg retorikës së dhunës.

“Kuvendi ka një mënyrë se si funksionon, ne presim vendimin që do merremi dhe nëse ka seancë patjetër që do jemi, nuk trembemi i rrimë larg retorikës ndaj dhunës. I referohem deklaratave të dhëna edhe nga zëdhënësja e KE-së pak më parë. Larg retorikës dhe larg dhunës. Pushteti nuk mund të merret në tavolinë”,- shtoi ajo.

E pyetur për një marrëveshje të mundshme me opozitën, por në këtë rast të kërkuar nga ndërkombëtarët, Gjebrea u shpreh: “Nuk e kuptoj se si ata iu kanë hapur një luftë frontale partnerëve tanë. Unë shoh që ata janë të vetëm ndërkohë që ndërkombëtarët bëjnë thirrje të mos bojkotohet parlamenti. Marrja e pushtetit në tavolinë nuk është një logjikë që mund të funksionojë në një demokraci si Shqipëria, ndonëse e brishtë”,- vijoi Gjebrea.

Sa për kandidatët për zgjedhjet vendore, Gjebrea tha se duhet të presim fundin e marsit për t’u njohur me ta.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb