TIRANE- Shërbimi i Punësimit dhe ai i Provës kanë lidhur sot një marrëveshje për formimin profesional për të dënuarit me dënime alternative. Kreu i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa deklaroi se nga ky trajnim përfitojnë rreth 6500 të dënuar, që vuajnë dënimin në gjendje të lirë. Nga kjo marrëveshje nuk përfitojnë ata që janë nën ‘arrest shtëpie”.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, drejtori i SHKP, Genci Kojdheli, vlerësoi se kjo marrëveshje specifikon të gjithë nivelin e bashkëpunimit midis dy institucioneve. “Ne na nevojitet Shërbimi i Provës për të filtruar dëshirën e tyre nëse duan të ndjekin një kurs të caktuar dhe të përfshihen në një program të nxitjes së punësimit nëse e lejon kualifikimi. Shumica e targetit të kësaj marrëveshjeve është në Tiranë dhe në Durrës, ku në fakt janë dhe 4 qendra të formimit profesional, më të mëdhatë që kemi në Shqipëri, të cilat mbulojnë një numër shumë të madh kursantesh”, deklaroi Kojdheli. Ai kujtoi se që nga janari i vitit të shkuar, të gjitha kurset e formimit profesional për punëkërkuesit e papunë janë falas. Duke sjellë në vëmendje se pranë Qendrave të Formimit Profesional në një vit trajtohen 15 – 20 mijë njerëz në vit, drejtori i SHKP theksoi se “ekzistojnë kapacitetet për të menaxhuar personat që do të vijnë përmes kësaj marrëveshjeje, duke konsideruar gjithmonë parakushtin që këta individ që vijnë nga Shërbimi i Provës duhet të vijnë vullnetarisht”.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit përmes kësaj marrëveshjeje merr përsipër të realizojë formimin profesional dhe punësimin e të dënuarve me dënime alternative, të referuar nga Shërbimi i Provës dhe do të vlerësohet mundësia e përfshirjes së të dënuarve me dënime alternative në skemat e nxitjes së punësimit.

Drejtori i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa, vlerësoi se kjo nismë është më e gjerë dhe vetëm përmes reintegrimit të plotë, recidivizmi mund jenë në përmasat e synuara. “Institucioni i Shërbimit të Provës nisur nga domosdoshmëria jo vetëm për të zbatuar masat dhe përcaktimet gjyqësore, por mbi të gjitha për të garantuar mbrojtjen nëpërmjet mbështetjes të personave në mbikëqyrje. Përmes kësaj marrëveshje do të ofrojmë mbështetje për të kapërcyer vështirësitë dhe pengesat që kanë pasur në ambientet e tyre”, deklaroi Qafa. Sipas tij, Shërbimi i Provës ka detyrim që të gjejë motivacionin, përkrahjen dhe mbështetjen e institucioneve shtetërore për sa i përket përfshirjes së tyre në këtë nismë të qeverisë dhe përfshirjen në skemat e nxitjes së punësimit.

“Aktualisht ne mbikëqyrim 6500 të dënuar. Të gjithë ato dënuar që janë vendosur në periudhë prove në bazë të nenit 59 dhe 63 të Kodit Penal, në rast se do të shprehin interesin do të përfshihen në zhvillimin e kurseve dhe nxitjen e punësimit”, sqaroi ai.
Përmes kësaj marrëveshje, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës merr përsipër të orientojë të gjithë të dënuar me dënime alternative mbi kurset e formimit profesional të ofruara nga Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik për punëkërkuesit e papunë, të regjistruar nga zyrat e punës, si dhe mbi mundësinë e përfshirjes në skemat e nxitjes së punësim me qëllim reintegrimin e tyre në shoqëri dhe pjesëmarrjen në tregun e punës.

Grupi i synuar për zbatimin e kësaj marrëveshje janë të rinjtë në moshë pune, personat mbi 45 vjeç, kryefamiljarët, nënat me shumë fëmijë etj,. Fillimisht kjo marrëveshje do të zbatohet dhe pilotohet për zonat që paraqiten me prioritet nga Shërbimi i Provës si Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër dhe kudo tjetër që Shërbimi i Provës paraqet të domosdoshme asistencën për formimin profesional dhe punësim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: