Marsela Çibukaj është fituesja e edicionit të 23-të të festivalit “Kënga Magjike” në Tv Klan. Pirro Çako i dorëzoi kupën triumfueses, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.
“Nuk kam fjalë, një emocion i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Falenderoj artistët, jurinë, skenën e Këngës Magjike, që na bën të përjetojmë emocione kaq të forta. Faleminderit të gjithëve ju”, tha artistja mes emocioneve.
Triumfin e Marselës në Këngën Magjike e kishte parashikuar një muaj në parë edhe Endri Prifti, çka solli dhe një polemikë me Ardit Gjebrean.
“Ju thame ne disa momente qe ne do te ishim pjese e Kenges Magjike kete vit, por rethanat as nuk e morëm vesh pse nuk do jemi, dmth e kupton ti, nga ato furçat me boje. Po degjo tani me mire, e di pse, ja tju jap edhe informacion mbi fitusin e kenges magjike eshte Marsela Çibukaj, dhe Festivalin Kombetar e fiton Noizi ne bashkepunim me Eugent Bushpepa. Tashme juve jeni mesuar si funksionojne keto, mblidhen ata byroja qe gjysmet e tyre per kok time, i kane kepucet te dyja te majta dhe vendosin ata 5 muaj para”, shkruante Endri në 23 tetor.
Pak orë më vonë ai i hoqi emrat e fituesve nga statusi, ndërkohë u përgjigj edhe Ardit Gjebrea.
“Po mirë mo Endri, pjesëmarrja në një festival bëhet duke u thënë njerëzve do jemi? Dhe pastaj???!!! Kënga Magjike ka rregulla që respektohen nga çdo artist. Ka një datë që dorëzohen këngët dhe një komision që vlerëson. Dorëzove ndonjë këngë? Pranimi u mbyll më 24 maj dhe ti kujtohesh në fund tetori të marrësh pjesë? Pak më shumë respekt për kolegët pjesëmarrës dhe për ne që punojmë duke respektuar çdo artist që vjen me profesionalizmin dhe përgjegjësinë më të madhe.”, u përgjigj Arditi.